Sipas sinjaleve që i dërgojnë në opinion VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja, do të formohet Qeveri mes këtyre dy subjekteve politike, ku do të kyçet edhe ndonjëra prej partive shqiptare me më pak mandate, PDSH-ja ose Aleanca për Shqiptarët. Kështu deklaroi analisti politik, Aleksandar Pandov, në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA.

“Mendoj se po, ato sinjale të cilat po i dërgojnë partitë politike të VMRO dhe BDI aq sa unë i kuptoj mendoj se po, do të formohet qeveri dhe mendoj se këtu do të kyçet edhe ndonjë më e vogël shqiptare që fituan deputet qoftë PDSH, Aleanca ose të dyja së bashku, nuk e di, por mua më duket se një gjë e tillë është e mundshme, mendoj se do të formojnë qeveri.
BESA nuk merret parasysh, natyrisht për shkak se BESA haptaz treguan se nuk vjen në shprehje që të marrin pjesë në një qeveri ku figuron VMRO-DPMNE dhe BDI”, deklaroi Pandov.

Sipas Pandov-it, nëse nuk arrihet marrëveshje mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së që të formohet Qeveria, atëherë opcioni i dytë mbeten zgjedhjet e reja.

Nga ana tjetër sipas gazetarit Naser Selmani, nuk përjashtohet mundësia që të bëhet një kalicion qeverisës mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, por ky koalicion do të jetë i imponuar pasi zyrtarë të të dyja partive politike janë nën hetim për krim nga Prokuroria Speciale. Këto dy parti sipas Selmanit, do të bënin koalicion vetëm për t’i ikur përgjegjësisë.

“Unë nuk e përjashtoj mundësinë VMRO-ja të bëjë koalicion me ndonjërën nga partitë shqiptare dhe kjo nuk është se ky koalicion do të jetë rezultat i koncepteve dhe pikëpamjeve të përbashkëta ose i vizionit të përbashkët për zhvillimin e Maqedonisë. Ky do të jetë një koalicion i imponuar për shkak se të dyja palët…….në të vërtetë nuk do t’i kisha përfshirë të dy partitë dhe anëtarët e tyre, por pjestarë të këtyre dy partive janë në hall nga materialet e përgjuara të cilat u paraqitën dhe u bënë lëndë hetuese e PSP-së, dhe mendoj se e vetmja arsye, nëse realizohet ky koalicion, do të jetë për shkak se e vetmja arsye që do t’i motivonte në një koalicion do të ishte ikja nga përgjegjësia, indikacionet për vepra të rënda kriminale”, deklaroi Selmani.

Selmani shtoi më tej se nëse BDI-ja bën koalicion me VMRO DPMNE-në pa i pranuar kërkesat e shqiptarëve që dalin nga platforma e përbashkët e partive shqiptare, në zgjedhjet lokale do të dënohet rëndë nga votuesit shqiptarë. Ndërkohë sipas analistit Aleksandar Pandov, duhet të respektohet praktika që fituesi në bllokun maqedonas të formojë Qeverinë me fituesin te blloku shqiptar.