Papa Françesku gjatë takimit të zhvilluar sot me përfaqësuesit e trupave diplomatikë pranë Selisë së Shenjtë, i bëri apel lidërve qeveritarë e fetarë të botës të bashkohen kundër terrorizmit fondamentalist, i cili mund të mundet vetëm falë impenjmit të përbashkët të të gjithëve.

Në këtë takim tradicional të urimit të nisjes së një viti të ri, me Ambasadorë e të ngarkuar me punë nga të gjitha vendet, pranë Selisë së Shenjtë, Papa Françesku u shpreh se “terrorizmi fondamentalist shkaktoi gjatë vitit të shkuar shumë viktima në botë, është një çmenduri vrasje që abuzon në emër të Zotit për të mbjellë vdekjen, në tentativën për të afirmuar dëshirën për të dominuar”.

“I bëj apel të gjitha autoriteteve fetare”, u shpreh Ati i Shenjtë, “të bashkohen e të pohojnë me forcë se nuk mund të vrasësh në emër të Zotit.”

Duke iu drejtuar lidërve politikë të botës, Papa Françesku tha se “terrorizmi fondamentalist është shpesh frut i një mizorie shpirtërore dhe e një varfërie të madhe sociale.

Politikanët kanë për detyrë të garantojnë lirinë fetare duke njohur rolin polizitv që ajo mund të luaj në ndërtimin e një shoqërie civile, si dhe të adoptojnë politika sociale të duhura për të luftuar varfërinë e rritjen kulturore e socilae të shoqërisë.”

Papa Françesku gjatë fjalës së tij ftoi trupat diplomatikë të përqafojnë “jo dhunën si stilin e një politike të paqes”.

Duke iu referuar cështjes së Sirisë, Ati i Shenjtë i bëri apel komunitetit ndërkombëtar “të operojnë në mënyrë të shpejtë për t’i dhënë jetë një negocimi serioz në dhënien fund të një konflikti që po provokon një masakër të vërtetë humanitare.”

Përsa i përket krizës së emigrantëve, Ati i Shenjtë u shpreh se “emigrantët janë persona me emër, me historitë e tyre, me familjen e tyre e nuk do të ketë paqe të vërtetë deri sa të ekzistoj një qënie humane që i dhunohet identiteti personal e reduktohen në një shifër të thjeshtë statistikore apo në objekt interesi ekonomik.”

 “Duhet të jetë një impenjim i përbashkët i të gjitha vendeve, tha Papa Françesku, për t’i garantuar çdo emigranti një mikpritje dinjitoze në respekt të së drejtës humane të çdokujt për të emigruar e për t’u integruar.”

Duke iu referuar Europës e Bashkimit Europian, Papa Françesku theksoi interesimin e preokupimin e Selisë së Shenjtë për të ardhmen e Bashkimit Europian.

 “Në këtë vit të 60 vjetorit të themelimit të BE”, tha ai, “duhet t’i jepet jetë një humanizmi të ri, bazuar tek aftësia për të dialoguar, integruar e gjeneruar, vlera këto që kanë krijuar madhështinë e Kontinentit të Vjetër.”

/Oranews.tv/