Edhe në 80-vjetorin e lindjes, në 17 dhjetor, Papa Françesku do t’i qëndrojë besnik stilit të tij të thjeshtë.

Asnjë ceremoni festive nuk është organizuar me rastin e përvjetorit, me kreun e Vatikanit që do të mbajë meshën e zakonshme të mëngjesit, para se të takohet me disa prej kardinalëve të tij. Gjithsesi, Selia e Shenjtë me këtë rast ka promovuar një stampë të veçantë.

“80-vjetori i Papës është një moment i rëndësishëm dhe ne e kemi shënuar një rast të tillë me publikimin e një stampe të re, ashtu si kemi bërë me Gjon Palin e Dytë dhe Papa Ratzingerin”, deklaroi zëdhënësi i Vatikanit.

Nip i emigrantëve italianë që u larguan drejt Argjentinës gjatë depresionit të madh, Jorge Mario Bergoglio lindi në një familje të shtresës së mesme, në Buenos Aires, në 17 dhjetor të vitit 1936. Ai u bë prift në moshën 32-vjeçare, gati një dekadë pasi humbi një pjesë të mushkërisë për shkak të problemeve në frymëmarrje e pasi hoqi dorë nga studimet për kimi.

Pavarësisht fillimit të vonshëm, Bergolio drejtoi komunitetin lokal Jezuit për 4 vite, duke mbajtur postin e kreut provincial të Jezuitëve të Argjentinës, nga viti 1973 në vitin 1979. Françesku, Papa i parë jo europian në 1300 vjet, ndryshoi rrënjësisht perceptimin për Vatikanin me stilin e tij të thjeshtë dhe ndërmori hapa për t’i rikthyer besueshmërinë Kishës Katolike Romake, e goditur nga skandalet seksuale e financiare. Papa i parë nga Amerika Latine, Françesku është gjithashtu i pari në 6 shekuj që mori frerët e Selisë së Shenjtë pas dorëheqjes së një pape tjetër, Benediktit të 16.

Bergolio bëri për vete miliona njerëz që prej fjalimit të tij të parë, kur u zgjodh Papë në mars të vitit 2013, me fjalët dhe gjestet joformale. “Motra dhe vëllezër, mirëmbrema”, ishin fjalët e tij të para nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, duke hequr dorë nga përshëndetja tradicionale “Lëvduar qoftë Jezu Krishti”. Ishte i pari Papë që zgjodhi emrin Françesk, në nder të Shën Françeskut të Asizit, shenjtori që lidhet me paqen, thjeshtësinë, shqetësimin për të varfërit dhe respektin për ambientin.