Jo shumë kohë më parë, Donald Trump e quajti Parisin një vend të tmerrshëm, por tani duket i vendosur për të forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës.

Numri një i Shtëpisë së Bardhë mbërriti të enjten në kryeqytetin francez, me ftesë të homologut të tij Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në festimet me rastin e Ditës së Bastijës.

Këtë herë, atmosfera mes dy udhëheqësve ishte më e qetësuar, me Trumpin që prekte miqësisht në shpatull kreun e Elizesë, ndryshe nga takimi i parë mes tyre, kur nervozizmi gjatë shtrëngimit të duarve ishte i dukshëm.

Presidenti amerikan u prit me nderime ushtarake në kompleksin historik ushtarak “Les Invalides”, ku Macron i tregoi edhe varrin e Napoleonit.

Më pas, dy presidentët u zhvendosën në pallatin presidencial, ku zhvilluan një takim prej gati një ore, me fokus çështjet e sigurisë e ato të mbrojtjes. Pak para nisjes së bisedimeve, Macron tha se është e natyrshme dhe e domosdoshme për të pasur shkëmbime me Trumpin, motoja politike e të cilit “Amerika e para” i ka shqetësuar disa aleatë të rëndësishëm europianë.

Gjatë qëndrimit të tij dyditor në kryeqytetin francez, Trump dhe bashkëshortja e tij Melania do të darkojnë me çiftin presidencial francez në restorantin e famshëm në majë të kullës “Eiffel”. Gjithashtu është planifikuar një shëtitje përgjatë lumit Sena.

Vizita në Paris zhvillohet mes furtunës politike në SHBA, lidhur me rolin që Rusia ka luajtur në zgjedhjet amerikane. Gjatë konferencës së planifikuar në mbrëmje, i pari i Uashingtonit do ta ketë të pamundur t’u shpëtojë pyetjeve lidhur me çështjen.