Kuvendi republikan sot hapi dyert për qytetarët për vizitë, por përveç grupeve të organizuara shkollore, asnjë qytetarë nuk është paraqitur që të futet brenda individualisht. I pyetëm qytetarët që i takuam në qendër të Shkupit nëse janë kurioz të shohin se si duket institucioni ligjvënës dhe çfarë presin nga përbërja e re parlamentare pas zgjedhjeve.

“Fare nuk më duhet parlamenti”, tha një qytetar.

“Çfarë t’ju them nuk di, nuk pres asgjë. Gjatë kohë prisnim diç, shpresuam, por e humbëm shpresën”, u shpreh një tjetër.

“Populli nuk është i interesuar për këtë gjë, mua konkretisht nuk më intereson politika e shoh punën time, asgjë nuk fitova nga partitë. Që 28 vite jam në treg, asgjë nuk fitova. E shoh popullin se si është i uritur, me kushte të mjera, ejani në ora pesë të mëngjesit shihni se si njerëzit kërkojnë nëpër kontejnerë”, tha një tjetër qytetar.

Kuvendi u shpërnda në muajin tetor në vigjilje të zgjedhjeve të muajt të ardhshëm. Gjithashtu është pastruar ngjyra e Revolucionit shumëngjyrësh nga fasada e këtij institucioni. Ndryshe, sipas anketës së Institucionit për demokraci “Societas Civilis”, e realizuar në korrik të këtij viti, perceptimi i më shumë se gjysmës nga personat e anketuar është se pushteti ekzekutiv ka kontroll më të madh ndaj kuvendit, sesa kuvendi ndaj qeverisë, sipas kompetencës kushtetuese.