Parlamenti i Bullgarisë, ka miratuar kërkesën e qeverisë për dorëheqje. Në seancën e votimit morën pjesë 240 deputetë, ku 220 votuan pro, ndërsa 2 prej tyre abstenuan.

Ndërsa Kryeministri i vendit Boyko Borisov, ka theksuar se kanë lënë një vend me ekonomi të ekuilibruar dhe me stabilitet. Ai ka theksuar se deri sa të formohet qeveria teknokrate do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.

Kryeministri Borisov mori vendimin për dorëheqje, pasi kandidatja e partisë së tij GERB dhe njëkohësisht kryetarja e Parlamentit Tsetska Tsacheva, nuk arriti të fitojë në raundin e dytë në zgjedhjet presidenciale më 13 nëntor.

Nga ana tjetër Partia Socialiste e Bullgarisë, (BSP), ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e qeverisë teknokrate dhe se do të vazhdojnë të qëndrojë në opozitë për tu përgatitur për zgjedhjet e parakohshme.

Ndërsa lideri i partisë me shumicë turke, Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat (HÖH), Mustafa Karadayı ka thënë se qeveria e Borisovit e humbi besueshmërinë dhe se në saj të saj në vend mbizotëronte gjuha e urrejtjes.

Ai ka theksuar se duhet ti jepet fund ndarjeve të shoqërisë me bazë etnike dhe fetare dhe ka vënë në dukje se Bullgaria po kalon nga një proces shumë i vështirë.

Sipas ligjeve në fuqi të Bullgarisë, presidenti i cili ka më pak se 3 muaj kohë për qëndrim në detyrë, nuk mund të shpërndajë parlamentin.

Për këtë arsye fillimisht do të formohet një qeveri teknokrate. Më pas me ardhjen në detyrë të Presidentit të ri, Rumen Radev, do të përcaktohet një datë e re për zgjedhjet e parakohshme. Detyra e Presidentit aktual Rosen Plevneliev përfundon më 22 janar.