Dhoma e ulët e parlamentit italian miratoi një ligj që lejon përdorimin e armëve për vetëmbrojtje, gjatë orëve të natës. Ligji lejon të qëllohet ndaj agresorëve që hyjnë për të grabitur e dhunuar në objekte të ndryshme, nëse ata nuk tërhiqen prej paralajmërimeve.
Parlamenti italian i ka dhënë të parën dritë të gjelbër, projektligjit që lejon përdorimin e armëve për tu vetëmbrojtur ndaj grabitjeve ose akteve të dhunës gjatë natës. Projektligji u miratua me një shumicë prej 225 votash pro, 166 kundër dhe 11 abstenime në dhomën e ulët të parlamentit italian. Pritet tashmë aprovimi edhe në senat.
Si vetëmbrojtje, ligji njeh rastet kur persona të ndryshëm hyjnë natën në shtëpi, zyra e dyqane, për të grabitur ose dhunuar. Ligji specifikon që arma përdoret nëse vihet në rrezik jeta ose kur bie pre e dhunës seksuale. Arma përdoret vetëm në rastet kur agresori nuk tërhiqet ndaj paralajmërimeve të personave që janë në rrezik. Në të kundër personi që qëllon me armë shpallet fajtor dhe dënohet.
Nisma e koalicionit qeverisës, e mbështetur edhe nga Lidhja e Veriut, u kundërshtua nga Forca Italia e ish-kryeministrit Berluskoni. Arsyetimi ishte se ligji nuk përcaktonte qartë rastet e dhunës kur përdorej arma.
Mes rasteve të shumta kur pronarët e banesave kanë qëlluar me armë natën ndaj grabitësve që kanë hyrë në shtëpitë e tyre ishte edhe ai i marsit të 2016-ës kur një shtetas italian qëlloi për vdekje një grabitës shqiptar në Kazerta. Por rasti ngjalli polemika, pasi dinamika e ngjarjes ngrinte pikëpyetje nëse rreziku ishte aq i madh nevojitej përdorimi i armës. Ndaj dhe personi që kishte qëlluar u dënua në bazë të ligjit në fuqi.