Partitë shqiptare, pjesë e shumicës parlamentare kërkojnë nga presidenti i Maqedonisë, George Ivanov që të heqë dorë nga siç thonë kokëfortësia e tij dhe të dorëzojë mandatin për formimin e Qeverisë.

Nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta, tha se nuk ka asnjë pengesë tashmë që Ivanov të mos e dorëzojë mandatin.

“Besoj se shumë shpejt kreu I parlamentit do ia jep mandatin mandatarit dhe do kemi qeveri reformuese e demokratike në vendin tonë. Nuk besoj që do ketë tensione më, tensionet mbaruan sepse ajo që ndodhi në kuvend ishte një pasqyrë e shëmtuar dhe nuk besoj se gjëra të tilla do përsëriten më”, tha ai.

Nga Lëvizja “Besa” kjo është mundësi ideale që kreu i shtetit me vepër konkrete të dëshmojë se është kryetar i të gjithë qytetarëve.

“Sa i përket dhënies së mandatit të presidentit të shtetit, kjo është e paraparë qartë në Kushtetutë, dhe tani është momenti që presidenti i shtetit të tregoj se është president i qytetarëve dhe jo një president që është në ndikim të ndonjë partie politike”, tha Blerim Sejdiu nga Lëvizja Besa.

Syrija Rashidi nga Aleanca për shqiptarët tha se shpallja e vendimit për kryeparlamenarin në Gazet zyrtare është hap pozitiv, por sipas tij gjithçka mund të pritet nga presidenti Ivanov.

“Sa i përket vendimit të kryetarit të shtetit lidhur me mandatin, kur bëhet fjalë për të, mendoj se gjithçka është e mundur dhe e pritshme. Ne jemi në pritje të një reflektimi pozitiv përfundimisht që kryetari i shtetit të japë mandatin kësaj shumice parlamentare dhe të vazhdojnë proceset më tej”, ka thënë Rashidi.

Në rast se Ivanov refuzon të dorëzojë mandatin, partitë nuk përjashtojnë mundësinë që shumica parlamentare vet të formojë Qeverinë e re. Një hap të tillë e kishte paralajmëruar edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi gjatë qëndrimit të tij në Bruksel.