Partitë opozitare shqiptare kërkojnë përmbushjen kushteve të kërkuara në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pastrimi i Listës Zgjedhore, rregullimi i çështjes së mediave dhe pikave tjera që dalin nga Marrëveshja e Përzhinos, për partitë e reja janë parakusht që ata të marrin pjesë në zgjedhje. Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Besa, Afrim Gashi tha se ata si Lëvizje janë të gatshëm për zgjedhje edhe nëse mbahen nesër ato, por kërkojnë që në ato zgjedhje qytetarët të mund të votojnë të lirshëm dhe të mos shtrembërohet vullneti i tyre.

“Qëndrimi i Lëvizjes BESA është se nëse nuk krijohen kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike ne në zgjedhje të atilla nuk do të marrim pjesë për shkak se ato nuk do të jenë zgjedhje. Keqpërdorimet manipulimet që janë gatshme t’i bëjnë pushteti që i ka bërë edhe në të kaluarën po me të njëjtat mekanizma dhe me të njëjtin arsenal mund të disponon edhe tani ne nuk jemi të gatshëm të legjitimojmë ata që vjedhin. Ne jemi për zgjedhje jo për vjedhje”, tha Afrim Gashi nga Lëvizja BESA.

Ndërkaq kryetari i RDK-së, Vesel Memedi, tha se ka ardhur koha në Maqedoni së pari të zgjidhen problemet kryesore e më pas të shkohet në zgjedhje.

“Qëndrimi i RDK-së është se pa zgjidhje nuk ka zgjedhje dhe nuk do të ketë zgjedhje. Qëndrimi jonë është i qartë se Maqedonia nuk është e përgatitur për zgjedhje tani dhe do të duhet së pari të zgjidhen problemet kruciale në vend dhe më pas të shkohet në zgjedhje. RDK që nga tetori i viti të kaluar ka qenë shumë e qartë: Edhe para se të formohet KSHZ e re që më 26 tetor kemi deklaruar shumë qartë që RDK nuk do të marre pjesë në ato zgjedhje para se të filloj procesi i zgjidhjes së problemeve kruciale”, tha kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.

Ndërkaq nga LR-PDSH thonë se duhet të ketë shtyrje të zgjedhjeve deri sa të mos plotësohen të gjitha kushtet e parapara me Marrëveshjen e Përzhinos.

“Nuk na habitin qëndrimet e ngurta të partive qeveritare që insistojnë të ruajnë mekanizmin e falsifikimit të legjitimitetit. LR-PDSh do të bëjë përpjekje maksimale në bashkëpunim me lehtësuesit ndërkombëtar që të evitohet çdo lloj manipulimi. Në qoftë se ndodhin, atëherë do të kontestohet çdo lloj legjitimiteti dhe një nga opsionet e mundshme mund të jetë që shqiptarët të nisin një rrugë tjetër politike jashtë sistemit të manipuluar”, theksuan nga LR-PDSH.

Anëtari i kryesisë së partisë “Uniteti”, Zylfi Adili, tha se së pari duhet të realizohen në përpikshmëri obligimet e marra nga Marrëveshja e Përzhinos në mënyrë që në vend të krijohen kushte për zgjedhje fer dhe demokratike.

“Nëse zgjedhjet do të mbahen më 24 prill pa pastrimin e Listës Zgjedhore pa ligjin për media dhe pa shumë çështje të cilat nuk do të realizohen atëherë nuk do të kishte kuptim mbajtja e zgjedhjeve dhe nuk do të ishin të besuara ato zgjedhje”, tha Zylfi Adili nga partia “Uniteti”.

Ndërkaq dje nga Këshilli Opozitar kanë paralajmëruar se do të ju bëjnë thirrje shqiptarët t’i bojkotojnë zgjedhjet nëse nuk krijohen kushtet, që qytetarët të votojnë të lirë pa asnjë ndikim partiak.(Shenja)

veseli-sela-kasami