Pas përfundimit të vazhdimit të mbrëmshëm të seancës është pritur që KSHZ-ja deri te koalicionet dhe partitë politike t’i dorëzojë vendimet për ankimimet e BESË-s dhe të LSDM-së, me çka fillon zyrtarisht afati 24-orësh për parashtrim të ankesave deri te Gjykata Administrative.

KSHZ-ja ka pranuar vetëm një ankimim të Lëvizjes BESA dhe anuloi votimin në një vendvotim në Gostivar. Janë hedhur poshtë pesë ankimime të parashtruara nga Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja dhe shtatë nga Lëvizja BESA. LSDM-ja, megjithatë, dje ka tërhequr dy ankimime.

Vendimi për votimin e anuluar në vendvotimin në Gostivar, sipas konkluzionit të KSHZ-së, duhet të dorëzohet edhe deri te partitë dhe koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhje në NJZ6, të cilat gjithashtu do të mund të apelojnë vendimin deri te Gjykata Administrative.

Gjykata Administrative, ka afat prej 48 orëve pas pranimit të padive që të marrë vendim.

Pas padive Gjykata Administrative vendos në këshill prej pesë gjyqtarëve të zgjedhur përmes shortit, në seancë publike, për të cilën e informon opinionin dhe përfaqësuesit e autorizuar rreth cilave padi vendoset. Vendimet e publikuara në ueb-faqe e KSHZ-së, siç është theksuar në Librin e afateve të Komisionit, do të përmbajnë edhe mënyrën e votimit të çdo gjyqtari individualisht.

Seanca e KSHZ-së ka zgjatur tre ditë dhe përfundoi mbrëmë duke i shkelur afatet e parashikuara në Librin e afateve për zgjedhjet. Sipas kësaj, prolongohet edhe afati për rezultatet përfundimtare. Kjo do të ndodh pasi që do të dihen vendimet e Gjykatës Administrative dhe nëse nuk ka rivotim në ndonjë vendvotim. Nëse ka rivotim, kjo duhet të mbahet më 25 dhjetor.