Shkruan: Prof. Abdullah MEHMETI

A është formuar Ministria e Sindikatave në Qeverinë e Maqedonisë Veriore, apo disa parti politike janë bërë pjesë të sindikatave?

Me disa deklarata gjatë ditëve të fundit, pushtetarë dhe drejtues të disa partive politike opinionin po e dezinformojnë rëndë, kinse ata kanë arritur ndonjë sukses në dobi të arsimit, me marrëveshjen mes Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, për rritjen e rrogave të mësimdhënësve, sa një pikë uji në sytë e tyre të errësuar nga mjerimi dhe varfëria e skajshme.

E para, kjo marrëveshje është arritur nga presioni i protestave të Sindikatës, jo nga kërkesa e ndonjë partie politike; e dyta, kjo marrëveshje (që nuk është për t’u lavdëruar) është arritur mes Qeverisë dhe Sindikatave, ku asnjë parti politike nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë çështje.

Më saktë, nëse vërtet partive politike të shqiptarëve u intereson çështja e arsimit, kanë shumë punë të pabëra, me boshatisjen e shkollave nga nxënësit për shkak të shpërnguljes në masë të banorëve në botën e jashtme, me cilësinë në të gjitha nivelet në arsim, me librat shkollorë dhe mjetet mësimore, me emrat e shkollave shqipe të mbetur nga ish regjimi komunist, me mohimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare në shumë vendbanime me popullsi të përzier, si dhe një mal me probleme të tjera. Nëse këta politikanë janë burra, le të duken në sheshin a probleme që duhet të zgjidhen, jo të fshihen nën fustanin e tejdukshëm të sindikatave!

Pse duhet të lavdërohet pushteti aktual dhe oponentët e tij me rritjen fiktive të rrogave të mësimdhënësve nga pushteti i mëparshëm, i cili nuk la gurë pa lëvizur për ta dëmtuar qytetarët e këtij vendi dhe shtetin?!

Të gjithë që kanë veshë e dëgjojnë, dinë shkrim e lexim dhe i ndjekin zhvillimet e fundit në vend, sigurisht nuk kanë arritur ta kuptojnë këtë lojë me nervat e njerëzve, këtë tallje deri në ekstazë të politikës me inteligjencën e qytetarëve të këtij vendi, sidomos të shqiptarëve.

Megjithëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare ende janë larg, fushata e egër parazgjedhore nuk zgjedh mjete dhe mundësi që t’ua shitur qytetarëve humbjen si fitore, varfërinë si progres, largimin e rinisë në botën e jashtme si rritje të popullsisë, dështimin si sukses, polarizimin e skajshëm të shoqërisë mbi të gjitha bazat, si unitet dhe fitore të madhe të demokracisë.

Me këto sjellje të papërgjegjshme, politika aktuale në Maqedoninë Veriore gjithnjë e më tepër po e afron këtë shtet me Ruandën dhe Etiopinë, jo me Evropën dhe botën e qytetëruar.

Lavdi marrisë!

(9.XI.2019)