Në vigjilje të fillimit të nesërm të fushatës për zgjedhjet e parakohshme për deputetë të 11 dhjetorit, të gjithë koalicionet dhe partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet, sot nënshkruajtën Kod me të cilin u zotuan për proces zgjedhor korrekt dhe demokratik.

“Zgjedhje të cilat janë korrekte dhe demokratike dhe i respektojnë parimet e demokracisë dhe qeverisjes së mirë kontribuojnë për zhvillim demokratik të shoqërisë. Të gjithë pjesëmarrësit me aktivitetet e tyre e vendosin fundamentin e demokracisë dhe kontribuojnë për ndërtimin e besimit në sistemin zgjedhor në Republikën e Maqedonisë”, theksoi kryetari i KSHZ-së Aleksandar Çiçakovski.

Kodin e nënshkruajtën kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i cili e kryeson Koalicionin “Për Maqedoni më të mirë”, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, nga koalicioni i bashkuar opozitar, në emër të BDI-së Izet Mexhiti, Menduh Thaçi nga PDSH-ja, Gëzim Ostreni nga Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”, Ivon Veliçkovski nga PL-ja, Stojançe Angellov nga Dinjiteti në emër të Koalicionit VMRO për Maqedoninë, Pavle Trajanov nga lidhja Demokratike për Koalicionin për Ndryshime dhe Drejtësi – Blloku i tretë, Bilall Kasami nga BESA, Zdravko Savevski nga E Majta dhe Muhamed Halili nga PPD-ja.

Në nënshkrimin e Kodit morën pjesë ambasadorët e SHBA-së Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, zëvendës-ambasadori i BE-së dhe shefi i misionit të OSBE/ODIHR, si dhe të gjithë anëtarët e KSHZ-së dhe përfaqësues të tjerë të partive.