Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në Maqedoni është një nga temat që po dominon fushatën elektorale, madje me një retorikë të ashpër ndërmjet partive të bllokut politik shqiptar dhe atij maqedonas, transmeton REL.
Debatet kanë kulmuar pas deklarimeve të vazhdueshme të liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev, se do të angazhohen për zbatimin e drejtë të shqipes, si dhe premtimeve të fundit të Bashkimit Demokratik për Integrim për zyrtarizimin e saj në gjithë Maqedoninë.

Në fakt, kreu i Lidhjes Social-Demokrate ka thënë në vazhdimësi se e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës amtare të komunitetit shqiptar është e garantuar me Kushtetutë, andaj edhe do të angazhohet për zbatimin e plotë të saj dhe se askush nuk duhet të ketë frikë nga një e drejtë e tillë, apo që gjuhën shqipe ta mësojnë dhe flasin edhe banorët në zonat e banuara me popullatë të pastër maqedonase.

“Kushtetuta aktuale garanton të gjithë të drejtat për qytetarët e Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe ne do të angazhohemi për zbatimin e përpiktë të saj. Plani ynë parasheh barabarësi për të gjithë, përfshirë edhe të drejtën e përdorimit të gjuhëve”, ka deklaruare Zaev duke akuzuar partitë në pushtet se për interesa politike gjithmonë kanë zvarritur zbatimin e dispozitave të Kushtetutës.

Por, prononcimet e tilla të LSDM-së po komentohen ashpër nga VMRO-ja në pushtet duke i quajtur përpjekje të opozitës për federalizimin e Maqedonisë.

“Nëse votoni për Zoran Zaevin, ju votoni për dygjuhësinë në Maqedoni, votoni për federalizimin, votoni për kantonizimin, votoni për dhunë, kriminalitet dhe vazhdimin e krizës”, ka deklaruar Nikolla Gruevski para simpatizantëve të partisë së tij.

Por, ndryshe nga Gruevski, partneri i tij qeverisës në dhjetë vitet e fundit, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka thënë, gjithashtu, se gjuha shqipe duhet do të jetë zyrtare në gjithë Maqedoninë. Premtime të tilla BDI-ja ka bërë në 15 vitet e fundit. Nga kjo parti kanë thënë se mbylljen e problemit me gjuhën shqipe do ta zgjidhin nëpërmjet një miratimi të një ligji të posaçëm.

“Gjatë tre mandateve, gjuha shqipe shkallë-shkallë ka avancuar dhe tani duhet të përmbyllet me një marrëveshje, sigurisht mes forcave politike që do të fitojnë mandatin në zgjedhjet e vitit 2016. Të gjithë jemi të interesuar për respektim të Marrëveshjes së Ohrit, për respektimin të gjuhëve të tyre, të kulturave të tyre dhe të traditave të tyre”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Premtimet e tilla të BDI-së, nga opozita shqiptare i kanë quajtur “cirk” të radhës. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë se deklaratat e tilla janë edhe një manipulim për fitimin e pikëve politike, pasi, sipas tij, BDI-ja edhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk ka arritur të mbyllë jo vetëm çështjen e gjuhës shqipe, por edhe çështje tjera që kanë të bëjnë me statusin e shqiptarëve.

“Ne mund të presim lloj-lloj cirku nga BDI-a, e cila i ka humbur zgjedhjet. Është mirë që ajo në mënyrë demokratike të pranojë rezultatet dhe të përgatitet të shkoj në opozitë dhe të rikthehet pas disa viteve”, ka deklaruar Thaçi.

Aktualisht, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është i garantuar në disa institucione, por në mënyrë të pjesshme. Në Kuvend ajo mund të përdoret nga deputetët, por jo edhe nga kryesuesi i seancave nëse është shqiptar. Dokumentet që miraton Kuvendi lëshohen edhe në gjuhën shqipe, por vetëm në komunikim brenda këtij institucioni. Situatë më e keqe paraqitet në ekzekutiv ku në mbledhjen e Qeverisë gjuha shqipe aspak nuk përdoret. Ministrat shqiptarë e përdorin atë gjatë ndonjë fjalimi, por jo edhe në relacionet zyrtare.

Përdorimi i shqipes, aktualisht, gjen zbatimi më të gjerë në pushtetin lokal edhe atë në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të banorëve.

Në dokumentet e udhëtimit, gjuha shqipe përdoret, por ajo nuk është e detyrueshme. Dokumentet lëshohen në dygjuhësi, por vetëm nëse këtë e kërkon personi që paraqet kërkesë qoftë për letërnjoftim apo pasaportë.