VMRO-DPMNE është po ashtu e mendimit se sistemi gjyqësor në vend ka nevojë për një veting rrënjësor por njëkohësisht, thonë ata, duhet të ketë veting mbi politikanët. Vetëm kështu, sipas partisë së Hristijan Mickoskit, do të krijohen kushte që personat e korruptuar të përgjigjen para ligjit.

“Jo vetëm që është i nevojshëm dhe duhet patjetër të ndodhë veting (në gjyqësor) por duhet të ketë edhe veting tek politikanët. Sepse e shohim se ka njerëz që hynë si dallëndyshe në politikë dhe dalin si milionerë, pa dallim a janë të LSDM-së apo të BDI-së. Do t’ju kujtoj Den Donçevin, po ashtu rasti i fundit me sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë Muhamet Zeqiri. Praktikisht nevojitet veting për politikanët që të mundemi me politikanë të pastër dhe të sinqertë të bëjmë zgjidhje ligjore dhe askush të mos e keqpërdorë pozitën e tij”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Përgjigja e VMRO-DPMNE-së vjen një ditë pasi Aleanca për Shqiptarët drejtoi thirrje të hapur tek të gjitha partitë politike në vend për t’ju bashkuar nismës për krijimin e një ligji për veting në organet e drejtësisë. Sipas partisë opozitare shqiptare, kuadrot partiak nëpër institucionet gjyqësore dhe prokurori kanë partizuar institucionet e drejtësisë dhe pengojnë hetimin e funksionarëve të pushtetit. LSDM-ja vlerëson se Aleanca për Shqiptarët është e vonuar. Shteti, thonë ata, tashmë ka mekanizma për të monitoruar punën e gjykatësve në bazë të të cilave deri tani janë shkarkuar rreth 20 gjykatës.

“Është fakt se LSDM-ja dhe shumica parlamentare bëjnë hapa serioz në këtë drejtim. Do të them se partia e Ziadin Selës është vonë. Ja pse! Ndryshime ligjore tashmë janë bërë dhe ai proces vazhdon në sistemin gjyqësor. Këshilli gjyqësor është kompetent për shkarkimin e gjykatësve sapo të vërtetojë se cilët gjykatës kanë punuar në kundërshtim me ligjin, në mënyrë joprofesionale ose të papërgjegjshme”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Aleanca për Shqiptarët e konsideron tallje me qytetarët pretendimin se vetë organet gjyqësore mund të bëjnë veting për veten.

“Maqedonia e Veriut kundërmon nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Nuk ka hallkë të sistemin e cila nuk është e kontaminuar nga këto dukuri devijante andaj vlerësojmë se për të pasur proces real dhe serioz të vetingut ne do të duhet të kemi një komitet, një komision ekspertësh me kredibilitet të lartë për t’i eliminuar të gjitha dilemat eventuale për suksesin ose për animet e atij komisioni”, theksoi Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.

Para se të vijë në pushtet në vitin 2017, LSDM-ja kishte premtuar rizgjedhje dhe rivlerësim të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve. Më vonë ish kryeministri Zoran Zaev kishte thënë se një proces i tillë ishte rrezik të linte vendin pa gjykatës dhe prokurorë.

Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kejt Meri Bërns, pak ditë më parë, tha se vetëm 8% e qytetarëve i besojnë gjyqësorit. / Alsat.mk