Me rastin e shënimit të 9 Majit, Ditës së Evropës Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) organizoi eventin tradicional “Mëngjesi me BE-në”, i cili këtë vit ndodhë në prag të samitit të Bashkimit Evropian në Sofje, në të cilin Maqedonia shpreson të marrë datën për çelje të negociatave aderuese me BE-në, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvëndëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në fjalimin e tij para ambasadorëve të BE-së në Maqedoni, përfshirë atë amerikan, tha se kjo datë ka një rëndësi edhe për Maqedoninë, sepse siç tha, banorët e këtij vendi ndjejnë se janë pjesë e Evropës.
Megjithatë tha ai, për të qenë pjesë e mozaikut të BE-së, Maqedonia duhet të përmbush përkushtimin se do të përqafojë vlerat evropiane, për çka flet disponimi i mbi 80 për qind e qytetarëve të cilët janë shprehur pro anëtarësimit në BE dhe në NATO.
Osmani vuri në dukje reformat e zbatuara, marrëveshjen me Bullgarinë dhe një të tillë që pritet së shprejti me Greqinë për të zgjidhur çështjen e emrit, që bëjnë këtë vit të veçantë për Maqedoninë, ndërkohë u bëri thirrje ambasadorëve të BE-së, që gjatë vendosjes për fatin e Maqedonisë, të kenë në konsideratë se Maqedonia është i vetmi shtet pa konteste të kufijve me fqinjët dhe se është një shoqëri funksionale multi-etnike dhe multi-konfesionale. “Nëse nuk çelim negociatat, rreziqet janë të ndryshëm, meqë humbja e shpresës për antarësim në NATO dhe BE, do të nxisë të rinjtë e arsimuar të braktisin vendin, që do të ulë fuqinë punëtore të nevojshme për zhvillim dhe rritje, duke rritur njëkohësisht euro-skepticizmin dhe ndjenjat anti-NATO. Kjo do të rezultojë me thellimin e ndarjes në bazë etnike dhe fetare që do të cenojë institucionet demokratike dhe kapacitetet e tyre për të qeverisur si dhe do të krijojë terren pjellor për ndërhyrjen dhe rritjen e ndikimit të palëve të treta”, porositi Osmani.
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, në fjalimin e tij tha se sot kremtohet paqja dhe uniteti në Evropë bashkë me vizionin për një botë më të mirë.
Ai tha se BE-ja sot numëron 28 anëtare, por ka një vizion të qartë për të bërë Ballkanin Perëndimor pjesë të integruar të saj, meqë ky rajon, gjithmonë ka qenë pjesë gjeografike e Evropës.
Zhbogar citoi Mogherinin, e cila gjatë qëndrimit të saj të fundit në Ballkan, tha se çështja nuk ka të bëjë me zgjerim, por me integrimin e rajonit në BE, më saktësisht për të rikthyer projektin në ADN-në e BE-së, që është paqja dhe pajtimi.
“Është e rëndësishme për evropianët të kuptojnë se banorët e këtij vendi besojnë në një Evropë të fuqishme, se besojnë në vlerat demokratike mbi të cilat është ndërtuar BE-ja, dhe mendoj se gjatë vitit të fundit ju e keni demonstruar një gjë të tillë, se këto vlera janë vlera të juaja gjithashtu”, tha Zhbogar, sipas të cilit, ky është mesazhi kryesor të cilin Evropa dëshiron ta dëgjojë nga Maqedonia.
Euroambasadori tha se Maqedonia ka bërë reforma përfshirë ndërtimin e një shteti për të gjithë ndërkohë që me aktivitetet e saj ka kontribuar dukshëm në dinamikën evropiane të rajonit.