Pas dy humbjeve dhe tensioneve të shumta, Shqipëria e merr një lajm të madh (FOTO)

“Mërgim Mavrajn nuk e grumbullova se e dija që po vinte do të dëshironte të luante edhe duke çaluar”. Këto janë fjalët e Xhani De Biazit në ditën e parë të grumbullimit të përfaqësueses për ndeshjet e javës së kaluar, kur lajmëroi se mbrojtësi nuk kishte kaluar ende dëmtimin dhe do të ndiqte si spektator duelet me Italinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Mungesa e tij nuk kaloi pa u ndjerë në dy ndeshjet ku Shqipëria pësoi 4 gola dhe De Biazi nuk ngurroi t’i cilësonte Ajetin e Veselin lojtarë të së ardhmes, me bindjen se Mavraj do të kthehej shpejt me fanellën kuqezi.

Në një intervistë për faqen e klubit, Mavraj ka konfirmuar se tashëm dhimbja ka kaluar edhe ai është gati të zbresë në fushën e lojës, por gjithmonë duke qenë i kujdesshëm që të mos ngutet, pasi në radhë të parë ka rëndësi ekipi.

“Kriteri kryesor është gjithmonë të ndihmoj skuadrën. Sigurisht, çdokush dëshiron të luajë gjithmonë dhe në ndonjë moment të caktuar është gati edhe të durojë dhimbjen, por nuk duhet të dëmtosh skuadrën.

Një vendim i tillë duhet marrë me arsye dhe shpesh nuk është gjithçka në dorë të lojtarit. Nuk është vetëm dëshira dhe besimi i lojtarit që ka rëndësi”, theksoi Mavraj.

Kthimi në fushë të shtunën është ndaj ish-skuadrës së tij, Këlnit, një duel që për Mavrajn tani është si një përballje normale ndaj çdo ekipi tjetër pasi ka hequr emocionet me takimin që luajti në Kupë. Ndaj ai është i përqendruar te dueli që do të ketë me Antoni Modeste, një prej lojtarëve më të spikatur këtë sezon në Bundesligë.

“Më pret një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit. Duhet të jem në lartësinë e duhur, nuk mjafton vetëm të jem në fushë. Ndaj Modeste është një sfidë e madhe, mendoj se asnjë mbrojtje nuk ka arritur ta ndalë atë. Do të duhet edhe pak fat për të mos e lënë atë të shënojë”, tha Mavraj.

mavrajgratsche901x427-665x400