Pas skandalit të zbuluar nga TV Shenja për hapjen e shtabit partiak të Bashkimit Demokratik për Integrim në shkollën fillore “Jashar bej Shkupi”, ky subjekt politikë detyrohet që të mbyll këtë shtab. Vetëm një ditë pas publikimit të lajmit, objektivi i kamerës tonë kapi pamje nga momenti kur aktivistët po nxirrnin nga objekti materialet dhe orenditë.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, ekipi ynë u pengua gjatë punës së vet, përderisa po tentonte që të informonte për këtë shtab i cili ndodhej brenda objektit edukativo arsimor. Në këtë mënyrë, aktivistë të subjektit politik në fjalë, ndërhynë në punën e gazetarëve.

Ata fillimisht thanë se për të inçizuar duhet të posedojmë leje. Pastaj, pas një bisede telefonike me struktura tjera partiake, ata filluan të kërcënojnë se nuk guxojmë të publikojmë ndonjë inçizim.

Ndërkohë, edhe pas tentativave të shumta për të rënë në kontakt me ministrin e Arsimit, Pishtar Lutfiu, i cili është nga radhët e BDI-së, ai zgjodhi që t’i përgjigjej me heshtje këtij skandali. Edhe kur u hap shtabi në hapësirat e shkollës fillore, edhe tani pas mbylljes, Lutfiu nuk ka thënë as një fjalë për këtë skandal.