Ish kryeministri dhe kreu i VMRO-DPMNE-së ka lëshuar bisedimet e liderëve që zhvillohen në klubin e deputetëve duke njoftuar se ka pranuar të gjitha kushtet e LSDM-së si për metodologjinë për punën e Agjencisë për Media ashtu edhe për kryeredaktorin e ri të RTVM, Santa Argirova. Mirëpo burime të Gazetës Lajm që janë drejtpërdrejt të kyçur në negociata, thonë se Gruevski është larguar nga takimi pasi ka lënë interesat e partisë së tij në duar të sigurta, te kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Nëse tani paraqitet ndonjë propozim i papranueshëm për VMRO-DPMNE-në, ai do të bllokohet nga Ali Ahmeti, i cili do të përfaqësojë interesat e Gruevskit dhe VMRO-DFPMNE-së”, kanë thënë burime të Gazetës Lajm.

Gruevski tha se i ka lënë krerët e LSDM-së, BDI dhe PDSH që të dakordohen për anëtarin e pestë të ad hok komisionit që do t’i ndjek mediat në 100 ditëshin para zgjedhjeve dhe se për të çdo emër do të jetë i pranueshëm dhe do të pranojë çdo marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor.

“Kur të merren vesh unë do të kthehem të nënshkruaj dhe të shkojmë në zgjedhje”, tha Gruevski gjatë largimit nga klubi i deputetëve. Liderët e tjerë nuk u prononcuan për mediat, ndërsa dolën në një pauzë të shkurtër.

Jozyrtarisht edhe nga PDSH në një brifing me gazetarë thanë se për këtë parti garancë e vetme për zgjedhje fer dhe demokratike janë faktori ndërkombëtarë, ndërsa nuk dëshirojnë të bëhen pengesë për marrëveshjen eventuale. Edhe nga PDSH thanë që do të pranojnë çdo marrëveshje që do të arrijnë partitë e tjera.