Kreu i Alternativës, Afrim Gashi pas takimit të djeshëm që ka pasur me kryeministrin Zoran Zaev, për përfshirjen e mundshme të Alternativës në Qeveri, sot është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përcjell TV21. Gashi ka shkruar se gjatë takimit ka theksuar se futja e Alternativës në Qeverinë e RMV-së, për hir të marrjes së datës për anëtarësim në BE, për Shkupin dhe Tiranën, është gjëja më e paktë që mund ta bëj Alternativa për Shqipërinë.

“Sot kisha kënaqësi që, i shoqëruar nga nënkryetari Hysni Ismaili, ta takoj në Tiranë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama.
Duke biseduar për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për rëndësinë e madhe që ka hapja e negociatave për aderim në BE për Maqedoninë e Veriut, ngase nga kjo varet edhe fillimi i negociatave për Shqipërinë, theksova se nëse hapja e negociatave për Shqipërinë vetëm pak varet nga vendimi i Alternativës për t’u përfshirë në qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut, kjo për shkak të ndërlidhjes mes këtyre dy shteteve në rrugën euro-integruese, kjo është gjëja më e paktë që mund ta bëjmë ne për Shqipërinë”, ka shkruar mes tjerash Gashi.