Udhëtimet pa vizë, shmangia e taksave dhe reputacioni ndërkombëtar janë çelësi…

Pasaportat na lejojnë që të jemi qytetarë të botës, por edhe të jetë në funksionin tonë. Sipas një studimi të kryer nga Nomad Capitalist, kompani që ka listuar 199 vende të botës për sa u përket pasaportave, pasaporta shqiptare renditet në vendin e 83-të, duke lënë pas nga rajoni vetëm Bosnjën dhe shtetin më të ri të Europës, Kosovën, shkruan Monitor.

Pasaporta shqiptare i mundëson atij që e posedon udhëtim të lirë pa viza në 98 shtete, duke lënë pas Kosovën, qytetarët e së cilës mund të udhëtojnë pa vizë vetëm në 38 shtete.

Krahas opsionit të udhëtimit pa viza, kjo renditje peshon edhe sasinë e taksave të një vendi mbi qytetarët e huaj, së bashku me reputacionin global dhe liritë personale, si dhe mundësitë që u japin individëve për të mbajtur disa nënshtetësi njëkohësisht. Amerika nuk është as në listën e 20 vendeve të para.

Në krye të listës është Suedia, pasuar nga disa shtete të tjera europiane. Një pasaportë suedeze të lejon që të udhëtosh pa viza në 176 vende dhe territore, një më pak se Gjermania. Për më tepër, të riatdhesuarit në Suedi mund të largohen nga vendi, ku taksat janë shumë të larta dhe të jetojnë diku tjetër, ku norma e tatimit është më e ulët.

Nomad ka për qëllim që të ndihmojë të pasurit që të reduktojnë barrën e tyre tatimore duke u zhvendosur në një vend të ri, të marrin leje qëndrimi dhe të investojnë në vende të tjera në mënyrë që të rrisin pasurinë e tyre më shpejt. Gjithashtu këshillojnë njerëzit që të mbajnë dy pasaporta, atëherë kur është e mundur.

Parë në këtë këndvështrim, pasaportat britanike, gjermane dhe të Shteteve të Bashkuara dikur pasaportat më të mira, tani renditen poshtë disa vendeve evropiane. Në 43 vendet e para të renditjes, 33 janë evropiane. Emëruesi i përbashkët i të gjithë këtyre vendeve është mungesa e taksave për të ardhurat e qytetarëve, pavarësisht se ku jetojnë ata. Shtetet e Bashkuara, për shembull, taksojnë të ardhurat e qytetarëve pavarësisht se ku jetojnë ato.

Vitin e shkuar, më shumë se 5400 njerëz hoqën dorë nga nënshtetësia e tyre amerikane duke vendosur një rekord të ri vjetor. Ndër të tjera, faktor që ka ndikuar në rritjen e refuzimit të nënshtetësisë amerikane ka qenë edhe përshkallëzimi i penaliteteve mbi të ardhurat offshore në 20 vitet e fundit.

Kur vjen fjala te pasaportat më të dëshirueshme, Amerika është në vendin e 35-të, së bashku me Slloveninë, pasaportat e të cilave mundësojnë udhëtime pa vizë në 174 vende. Shtetet e Bashkuara shënojnë pikë të ulëta për sa i përket taksimit të jorezidentëve dhe perceptimit botëror për të.

Udhëtimet pa vizë

Faktori më i rëndësishëm në vlerën që mbart një pasaportë është mundësia e udhëtimeve që ajo ofron. Indeksi Nomad u jep përparësi udhëtimeve pa vizë, që peshon rreth 50% në renditjen totale të një vendi.

Taksimi

Gjëja e dytë më e rëndësishme për sa i përket pasaportave është liria mbi taksat, që peshon 30% në renditjen e secilit vend. Ne besojmë se askush nuk duhet që të detyrohet që të paguajë tatimin vetëm për shkak të nënshtetësisë së tyre. Renditja u mbështet mbi eksperiencën personale të klientëve, në rrjetin e këshilltarëve mbi taksat në mbarë botën dhe në agjencitë shtetërore të secilit shtet, për të përcaktuar si taksohen nënshtetasit.

Perceptimi

Perceptimi botëror mbi një vend dhe shtetasit e tij është përgjegjës për 10% të renditjes së një vendi. Pasaporta e çdo vendi është e vlefshme nëse është në gjendje t’i ofrojë siguri shtetasve. Ky indeks mbështetet mbi Raportin Botëror të Lumturisë, Raportin e Zhvillimit Human dhe faktorëve subjektivë mbështetur mbi eksperiencat personale.

Dyshtetësia

Mundësia për të mbajtur një tjetër nënshtetësi, që në renditjen e vendeve është përgjegjëse për 10% në renditjen e vendeve. Ne besojmë se të gjithë duhet të jenë të lirë të mbajnë dyshtetësinë pa kufizim. Ky indeks u mbështet nga të dhënat e ambasadave, burime në internet dhe në eksperiencat personale në rrjetin tonë global, transmeton tiranaobserver.

Liria

Aftësia e qytetarëve për të jetuar të lirë nga përgjegjësitë peshon 10% në totalin e pikëve të renditjes. Ne besojmë se liria e fjalës dhe e medias është diçka pozitive, dhe vendosja e ligjeve mbi qytetarët jo rezident është në përgjithësi një ide e keqe. Ky indeks mbështetet në të dhënat për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, programet e spiunimit qeveritar, shkallën e burgimit dhe ligjet që synojnë qytetarët jorezidentë.