Nexhmedin Kalisi

Gara për President në Maqedoni, me atë që shihet duket shumë e vakët. Mos interesim i njerëzve deri në maksimum. Në këtë garë janë 3 kandidat, 2 maqedonas dhe 1 shqiptar. Steve Penderovski vjen nga partia e LSDM-së, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE dhe Blerim Reka kandidat i pavarur por që përkrahet nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.
Presidenti duhet të jetë i pavarur nga partitë, mirëpo në këtë rast është duke ndodhur e kundërta. Si mund të jetë një president konsensual, ndërsa përzgjidhet nga një parti është e pakuptueshme! Por në këtë garë është interesante se si pozicionohen shqiptarët, që në politikën maqedonase ato janë një “pakicë” etnike.
Shqiptarët janë të ndarë në dy taborë: Ata që përkrahin Blerim Rekën, si njeri i formuar, intelektual, i përgatitur, me një biografi të pastër dhe shqiptar i vetëm që garon si i pavarur, dhe grupi tjetër i shqiptarëve që përkrahin Penderovskin, kjo si shkak se partitë shqiptare BDI dhe PDSH qeverisin së bashku me partinë maqedonase LSDM. Kjo ka krijuar një polarizim dhe një debat të madh në mesin e shqiptarëve, intelektualëve por edhe të masës së gjërë. Si ka mundësi që shqiptari, të bëjë thirrje për tu votuar një kandidat maqedonas, duke pasur zgjedhje një njeri si Blerim Reka?

Kur jemi afruar vetëm se në javën e fundit të zgjedhjeve, debatet janë ashpërsuar. Kemi krahun e luftës që janë tek BDI që i thonë tradhtar, e bëjnë jo shqiptar e fyerje nga më të rëndat për Rekën. I fundit ka qenë edhe njeriu që dikur bënte opozitarin dhe kundërshtuesin e partisë që sot e mbron! Është fjala për Artan Grubin, i cili ka kaluar të gjitha nivelet e naivitetit.
Ai në shkrimin e tij të fundit, përveç që nënçmon pa fund Blerim Rekën, shqiptarin që është kandidat për President të Maqedonisë së Veriut, ku nga respekti për një shqiptar dhe niveli i lartë intelektual i Rekës duhej të heshte kur flet për të si personalitet. Mirëpo jo, ai bile e bënë tradhtar! Thirret tek Skënderbeu, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Sami e Abdyl Frashëri, për ta diskreditu Rekën, ndërsa se ku përputhet ideali i këtyre burrave të kombit shqiptar me përkrahjen e kandidat maqedonas për president përpara atij shqiptar askund nuk kuptohet! Më patriot është ai që përkrah një maqedonas, se sa një shqiptar kështu thotë Artan Grubi, por këtë assesi nuk e thanë dikur burrat e kombit që ai i përmend!

Ai përmend disa arritje që kanë bërë shqiptarët, sikur zgjedhje kryetarit të Parlamentit që është një shqiptar, që detyrë e tij është mbajtja e radhës se cili deputet do të flas tani në Parlament dhe drejtimin e mbledhjes së Kuvendit. Por sidoqoftë është një pozitë e rëndësishme në hierarkinë shtetërore dhe është shumë mirë që është një shqiptar, por ku është problemi të jetë edhe një shqiptar tjetër si President i Maqedonisë së Veriut!
Përtej propagandës partiake, shqiptarët akoma jetojnë në kushte mizerje. Ata nuk kanë as 20% e të drejtave të serbëve që jetojnë si minoritet në Kosovë, ndërsa janë numër shumë i madh në Maqedoni. Mjafton të shohësh si jetojnë shqiptarët, me çfarë merren, çfarë edukimi u ofrohet, çfarë universiteti kanë, e kupton patriotizmin e Grubit, që thjeshtë e ka folklor komercial, që ai dhe bashkë partiakët janë duke e shfrytëzuar maksimalisht për arritjen e tyre personale (lexo: hajni, zhvatje, mashtrim).

Do ta përfundojë këtë shkrim me një pasus nga shkrimi jot Grubi, që me të vërtetë të shkonte tamam: “Gjithëmonë u rreshtuat në anën e gabuar të historisë dhe të sotmes, me gojën plotë me patriotizma të rrejshëm e me asnjë vepër të vetme.”