Kur vdes një pacient në QKUK, halli i stafit mjekësor është se cili do ta kontraktojë transportin e kufomës për të marr ryshfetin nga transportuesi. Këta të fundit, varësisht se cili jep më shumë para do ta fitojë punën. Gazeta Shneta ka hulumtuar rastin dhe ka dokumentuar se stafi mjekësor janë të lidhur me kompaninë “Ngushllimi”.

Kur vdes një pacient në QKUK, familjarët duhet të presin deri në 2 orë për të përfunduar procedurat për lëshimin e kufomës. Personeli mjekësor duke përfshirë motrat, teknikët, mjekët por edhe stafi i sigurimit dhe pastrimit, vrapojnë pas familjarëve për t”ua siguruar transportin.

Kjo bëhet me qëllim të marrjes së ryshfetit nga transportuesi dhe ndodhë në disa klinika të QKUK-së. Kështu deklarojnë dy nga transportuesit, Armend Ahmeti nga kompania “Dardania” dhe Fadil Sadiku nga “Piramida”, shkruan Gazeta Shneta.

“Pasi vdes pacienti, mjekët dhe motrat i marrin familjarët dhe i qetësojnë. Iu qesin kafe apo ujë dhe ndërkohë i pyesin për transportin e kufomës. Tash ata e marrin përsipër organizmin dhe i thirrin transportuesit. Nëse ne ua japim 50 euro, kufomën e bartim ne. Nëse dikush tjetër iu jep më shumë, atëherë e merr ai. Këtë e bëjnë prej sigurimit, pastruesit, motrat e deri te mjekët”, thonë Ahmeti e Sadiku.

Ahmeti shton se shpesh herë ndodhë që personeli të grinden mes vete, e madje të mos flasin fare për shkak se ia “marrin njëri-tjetrit kufomat”. Sipas tij, ka kujdestarë që e shtyjnë orarin e punës vetëm për të pritur vdekjen e pacientit dhe më pastaj për të kontraktuar transportin.

Ahmeti tregon se transportin e kufomave e bëjnë 5 kompani dhe shton se sikur të mos përzihej stafi i QKUK-së, atëherë do të kishte punë për të gjithë. Bile ai thotë se në këtë mënyrë i dëmtojnë edhe familjarët.

“Transporti kushton 1 euro për kilometër. Tash ne detyrohemi me rrit çmimin për shkak se duhet me iu jep para atyre në QKUK”, thotë ai.

Ahmeti dhe Sadiku pohojnë se njëra nga kompanitë konkurrente është e lidhur me personelin dhe ua merr pothuajse të gjithë klientët. Ata theksojnë se faji nuk është te kjo kompani, sepse njëjtë do të punonin edhe vet ata sikur të paguanin më shumë ndërmjetësuesin nga QKUK-ja.

Këtë e ka vërtetuar edhe Gazeta Shneta në një hulumtim të kryer në klinikën e Emergjencës dhe në Kardiologji. Janë tri raste kur personeli ka dhënë numrin e kësaj kompanie, një mjek, një infermiere dhe një punëtor i sigurimit. Por ka edhe raste kur nuk pranojnë të japin numra dhe sugjerojnë që të kërkohen informacione tek laura në hyrje të QKUK-së ku qëndrojnë transportuesit.

Infermierja madje insiston që t”i përmendet emri kur të kryhet transporti. Deklaratën e saj Gazeta Shneta e ka të dokumentuar.

“Po pritet me dek, merrnu vesh se ia dhash numrin”

Infermierja në recepsionin e Emergjencës me iniciale të emrit M. është treguar shumë e shpejtë në gjetjen e transportit. Posa i kërkohet numri, ajo thërret kompaninë “Ngushllimi” për t”iu treguar se ka ardhur një klient.

“Jam M. prej Emergjencës. Kqyre ia dhash numrin një djalit dhe kur t”ju thirr merrnu vesh me ta”.

Ajo ia bënë me dije se po kërkon transport pasi pacienti po pritet të vdes.

“Lypi ni asi, por po pritet”, i thotë infermierja në telefon. Ajo kërkon që edhe asaj t”i shkruhet emri tek numri i kompanisë në mënyrë që të dihet se kush e ka dërguar klientin.

“Shkruje edhe emrin tem qaty. Kallxoj që e ke marr numrin këtu”, deklaron M.

Njëri nga shoferët e kompanisë “Ngushllimi”, kërkon 50 euro deri në Lipjan jo më larg se 20 km nga Prishtina derisa çmimi real është 1 euro për km. Ai thotë se 50 euro kushton edhe tabuti ose ka edhe lloje të tjera të arkivoleve të cilat janë më të shtrenjta, ndërsa çmimi për një tabut është 30 euro.

Armend Ahmeti dhe Fadil Sadiku vazhdojnë rrëfimin e tyre duke treguar se pasi dërgohet kufoma, personi i cili e ka kontraktuar transportin nga stafi i QKUK-së, thërret disa herë në telefon për t”ia dërguar paratë sipas marrëveshjes. Madje ata tregojnë se personi do të kërkojë më shumë para, nëse klienti ka blerë arkivol.

Ahmeti thotë se këtë lloj pazari e bëjnë më së shumti në klinikën e Emergjencës, në njësinë koronare, intensivë, në Neurokirurgji dhe interno në katin e pestë. Ahmeti dhe Sadiku thonë se do të kërkojnë takim edhe me ministrin Uran Ismaili për t”i treguar se çfarë ndodhë me kufomat në QKUK.