Kuvendi përmes një procedure të përshpejtuar i ka rikthyer Universitetit të Tetovës e Fakultetin e Shkencave te Zbatuara. Deputetja e PDSH-së Merale Ferati këtë vendim të Qeverisë, në fakt të BDI-së e ka quajtur hipokrizi të radhës dhe ka akuzuar partinë shqiptare në pushtet se po tallet me vlera kombëtare siç është UT-ja.

“Ta përkujtojmë opinionin se BDI-ja me ligj suspendoi disa fakultetet dhe 8 njësi programore nga UT-ja të cilat shqiptarët dhe PDSH-ja me aq mund arritën t’i legalizojnë që d.m.th BDI ndjek logjikën që një e drejt e shqiptarëve siç është UT-ja ta suspendojë dhe pas një periudhe siç jemi sot ta rikthej gjoja se po bënë diçka. Këto janë pazare të fëlliqura të krerëve të BDI-së që guxojnë edhe UT-në ta bëjnë objekt marrëveshje me VMRO-në për shkak të interesave të tyre të ngushta korruptive, kriminale”, tha Meral Ferati, PDSH.

Ndërkohë nga BDI-ja thonë se mbyllja e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të UT-së dhe transferimi i tyre në Universitetin e ri “Nënë Tereza” në Shkup nuk kishte për qëllim përfitime ditore politike.

“Në bazë të analizave, në bazë të reagimeve dhe kërkesave të institucioneve përkatëse, rishqyrtohet vlerësimi dhe mendojmë se me rikthimin e vazhdimit të këtyre dy drejtimeve në UT. Të gjitha veprimet janë konform asaj që bëjmë për vlerësim për nevojat e qytetarëve, kështu që ishte vlerësuar që nevoja imediate të shqiptarëve në Shkup dhe Maqedoni është që të themelohet Universiteti i ri dhe për këtë arsye mendojë se ne kemi vlerësuar nevojat e qytetarëve dhe nevojat partiake për aspektin se dikush vlerëson se do të kishim zgjedhje”, deklaroi Talat Xhaferi, BDI.

Nga LSDM-ja ndërkohë akuzuan partnerët e koalicionit VMRO-BDI se po gënjejnë opinionin lidhur me universitetet e reja, pasi që siç thonë deri në vitin 2019 nuk është ndarë asnjë denarë për funksionimin e tyre.

“Thonë se implikimi fiskale janë miratuar por shihni prej vitit 2016 deri në vitin 2019 nuk ka asnjë denar që është paraparë për formim të ndonjë universiteti. Vallë dikush mendon se universitet mund të krijohet pa asnjë denar të paraparë në buxhet! Këjo janë implikimet fiskale, kurse në vetë tekstin thonë se në buxhet do të ketë implikime fiskale”, tha Goran Sugarevski, LSDM.

Pas këtij vendimi pritet që të bien poshtë edhe dy ankesat e dërguara në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të vitit të kaluar. Ankesat ishin bërë, njëra nga vetë universiteti i Tetovës dhe tjetra nga 2 profesorët Milaim Fejziu, që ishte edhe kryetari i parë i senatit dhe profesori Arsim Sinani. Po ashtu, pritet të zgjidhet edhe çështja e rreth 700 studentëve të këtij fakulteti dhe rreth 30 profesorëve, fati i të cilëve deri më sot ishte pezull, sidomos edhe për shkak të zvarritjes së ndërtimit të Universiteti të ri “Nënë Tereza” në Shkup.