Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e përshëndet vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për vendosjen e masave lehtësuese të lëvizjes së qytetarëve për datat 1, 2 dhe 3 maj.

Nga kjo parti thonë se masat e deritanishme kanë dhënë rezultat dhe tani ka tendencë të rënies së numrit të të infektuarve nga Covid-19.

PDSH propozon që Qeveria të fal të gjitha gjobat ndaj qytetarëve të shqiptuara për mosrespektimin e orës policore.

“Gjithashtu propozojmë që transporti publik duhet të lëshohet në funksion menjëherë, duke përcaktuar udhëzime për numrin e personave prezent në mjetin transportues, si dhe duke aplikuar rekomandimet e distancës dhe mjeteve mbrojtëse. Propozojmë hapjen e tregjeve të gjelbra gjatë gjithë javës duke pasur parasysh respektimin e masave mbrojtëse që janë në fuqi (maskat, dorezat , distanca). Propozojmë që restorantet, kafeteritë dhe veprimtaritë e tilla shërbyese në objektet të cilat posedojnë tarraca të hapura të lirohen për punë, duke respektuar rekomandimet e distancës”, thonë nga PDSH.

Ata shtojnë se Qeveria tani duhet t’i reduktojë masat për luftën ndaj coronavirusit, duke kaluar në fazë të re.