Shoqata e Pedagogëve të Muzikës nuk heq dorë nga qëndrimi që librat e muzikës për arsimin fillor të jenë nga autorë shqiptarë dhe të njëjtat të mos përkthehen nga gjuha maqedonase dhe autorët maqedonas. Adem Imeri, kryetar i Shoqatës thekson se mungesa e ndryshimeve ligjore për tekstet shkollore ka penguar autorët shqiptarë të konkurrojnë me plan-programet e tyre.

“Derisa nuk e ndryshojnë ligjin, dhe që me qëllim e zgjasin prej 2006, atëherë ne asnjëherë nuk kemi me pas autorë shqiptar dhe libra të vlefshme, të mirëfillta dhe profesionale. Ka qenë në radhë që të ndërrohet ligji dhe pastaj konkursi të hapet. Këta e shfrytëzuan momentin, e hapën konkursin pa u ndërruar ligji edhe normal aty as unë e askush prej ne shqiptarëve nuk ka mund të konkurroj në gjuhën shqipe. Ne kemi kërkuar tashmë sa vjet që asnjë prej ne mos të adaptoj libra, asnjë prej nesh nuk do të përkthej, por që sërish ata vazhduan me demagogjinë e vet”, deklaroi Adem Imeri, Shoqata e Pedagogëve të Muzikës.

Për shkak të mungesës së librave të mirëfilltë të muzikës, mësimdhënësit ballafaqohen me vështirësi të shumta për realizimin e orës muzikore.

“Tani për tani jemi pa libra, pa tekste shkollore siç kemi qenë nga viti 2010 dhe ne fatin e kemi që është teknologjia e zhvilluar dhe kërkojmë, hulumtojmë me librat e vjetër që i kemi pas, disi gjendemi. Kjo është një ngarkesë për ne arsimtarët e muzikës, pedagogët e muzikës. E kemi një ngarkesë tepër, unë çdo javë përgatitem duke ju siguruar përmbajtje dhe tema sa më të kuptueshme”, pohoi Florim Zylfiu, mësimdhënës i Muzikës.

Në tekstet e librave të muzikës të përshtatura në shqip nga gjuha maqedonase përveç gabimeve në përkthim, që në shumë raste janë qesharake, ka munguar mes të tjerash terminologjia muzikore, krijimtaria popullore muzikore shqiptare, instrumentistë qoftë ekzekutues ose interpretues, këngë artistike dhe popullore dedikuar moshës së nxënësve nga autorë shqiptarë.