Shkruan Albulenë Halili

Njëri nga kandidatët maqedonas për kryetar shteti, Stevo Pendarovski, i cili në kohën e luftës së 2001 ka qenë zëdhënës i policisë, më 9 mars të këtij viti për të përditshmen kroate “Jutarnji list” mes tjerash paska deklaruar: “Është e një rëndësie të madhe, në radhë të parë për shkak të BASHKËSISË SË MADHE SHQIPTARE QË JETON TE NE DHE E CILA KA LIDHJE TË SHUMTA ME KOSOVËN DHE SHQIPËRINË…”.

Sa shumë gabime në një gjysmë fjalie:

Së pari, ne nuk jemi bashkësi (apo siç përdoret ndryshe komunitet) as thjesht qytetarë por jemi popull. Devolucioni nga koncepti popull në konceptet bashkësi dhe qytetar është tendencioz dhe është i lidhur ngushtë me pronësinë e shtetit.

Së dyti, ne nuk jetojmë tek ata. Vendi është yni. Gjithmonë ka qenë. Ideologjia komuniste lehtësoi ekspansionizmin pansllav dhe legjitimoi kolonizimin. Ndërkaq pastaj në demokraci partitë tona për privilegje legjitimuan shtetin e sapoformuar në trojet tona. Pra, shteti mund të mos jetë yni, por ama që vendi është yni, kjo s’diskutohet.
Së treti, ne nuk kemi lidhje të shumta me Kosovën dhe Shqipërinë, por ne jemi i njëjti komb.

Së fundmi, meqë po e deklaron hapur që synon edhe votat e shqiptarëve, a di shqip ky?! Ai ka shfaqur ambicie të jetë edhe kryetar i popullit shqiptar (jo qytetarëve shqiptarë) që jeton në këtë shtet. Në shtetet multietnike normale, një qytetar që s’di të dy gjuhët nuk do të mund të kualifikohej as për kandidat e lëre më të zgjidhet president.
Veç po them…