Lajmi pozitiv në fund të këtij sesioni të bisedimeve në Ohër do të jetë i mirë për mbarë rajonin, jo vetëm për ato palë që janë të involvuara. Këtë sot në Ohër e ka bërë të ditur presidenti Stevo Pendarovski në lidhje me takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që po mbahet nën patronazhin e BE-së në Ohër.

Për rrjedhën e bisedimeve dhe pritshmëritë, Pendarovski tha se nuk mund të japë asnjë vlerësim sepse, siç tha, “nuk jemi pjesë e negociatave, por vetëm nikoqirë”.

“Kam pasur takime me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti, por vetëm i kam përshëndetur dhe ju kam uruar punë të suksesshme. E them këtë, nuk mund ta di, sepse nuk jam në tavolinën e bisedimeve. Maqedonia është vetëm nikoqir dhe ju siguroj se do të jemi nikoqir të shkëlqyer. Mendoj se kjo mund të kontribuojë sadopak për një epilog pozitiv të këtyre bisedimeve, tha Pendarovski.