Presidenti Stevo Pendarovski, sot ua dorëzoi mirënjohjen “Unaza e inxhinierit” 12 studentëve më të suksesshëm të cilët kanë diplomuar në fakultetet që kultivojnë disiplinat inxhinierike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

Manifestimi “Unaza e inxhinierit” mbahet për 19-tën herë me organizim nga Institucioni Inxhinierik i Maqedonisë dhe Oda e Arkitektëve të Autorizuar dhe e Inxhinierëve të Autorizuar, kurse me mbështetje nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Pendarovski në fjalimin e vet theksoi se me dhënien e kësaj mirënjohjeje kontribuojmë në afirmimin e profesioneve të inxhinierisë, kurse edhe vetë ky manifestim kontribuon për promovim të inxhinierisë.

“Arkitektët, informaticienët, teknikët, elektroteknikë, inxhinierët mekanikë, ndërtimorë, bujqësorë dhe e pyjeve, fituesit e “Unazës së inxhinierit”, por edhe të gjithë inxhinierët e tjerë janë fuqia lëvizëse e ekonomisë maqedonase, kurse nëpërmjet kësaj edhe e mirëqenies së të gjithë qytetarëve tanë”, tha presidenti Pendarovski në ceremoninë e dhënies së mirënjohjes “Unaza e inxhinierit”, që u mbajt në Kabinetin e Presidentit.