Çdo gjeneratë merr vendime të cilat e përcaktojnë fatin e popullit dhe ardhmërinë e shtetit. Duke i krahasuar dhe vlerësuar epokat historike, gjenerata e ynë antifashiste sigurisht veçohet sipas veprës së saj, thotë presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në video-fjalimin me rastin e 11 tetorit – Ditës së kryengritjes popullore.

“Në vitin 1941, kur pjesa më e madhe e Evropës dhe ne këtu ishim të okupuar nga fashizmi, luftëtarët e guximshëm të aradhave partizane në Prilep dhe Kumanovë i kanë sulmuar simbolet e armiqësive të lirisë. Të udhëhequr nga besimi në drejtësi, unitet dhe njerëzi, partizanët arritën ta bashkojnë dhe udhëheqin popullin në luftën antifashiste, çlirimtare. Në lëvizjen e rezistencës u përfshinë qytetarë nga çdo kategori etnike, fetare dhe sociale”, thuhet në fjalimin e presidentit.

Falë unitetit të brendshëm të popullit dhe lidhjes së fuqishme të jashtme me vendet kyçe në aleancën antifashiste, thotë mes tjerash Pendarovski, ajo gjeneratë e famshme arriti të fitojë lirinë dhe shtetësinë e këtij vendi.

“Bashkëqytetarë të dashur, ne i kemi borxh përjetësisht asaj gjenerate të pjesëmarrësve në kryengritjen e madhe popullore. Për këtë shkak është e detyrueshme të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë në ruajtjen e shtetit dhe lirisë së fituar para shumë viteve. Kjo është e mundur vetëm nëse e ndjekim shembullin e tyre dhe e ndërmarrin përgjegjësinë tonë si gjeneratë. Përmes pajtimit qytetar dhe solidaritetit të arrijmë unitet të brendshëm nëse dëshirojmë ta realizojmë qëllimin tonë strategjik – transformimin e Maqedonisë së Veriut në shtet përparimtar dhe me prosperitet – anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha Pendarovski.

Me unitet për punët më të rëndësishme, thotë presidenti, ta ndërtojmë shtetin ku të rinjtë do ta shohin ardhmërinë e tyre. Urime Dita e kryengritjes popullore!, qëndron në video fjalimin presidenti Pendarovski me rastin e 11 Tetorit – Ditës së kryengritjes popullore.