Vitin e kaluar në Maqedoni ka pasur 186 automjete në çdo 1.000 banorë, gjegjësisht shkalla e automjeteve shënon rritje prej 50 për qind në krahasim me vitin 2005. Kështu tregojnë hulumtimet e Eurostat për sektorin e transportit në vendet kandidate për anëtarësim në BE, ku janë përfshirë Turqia, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.

Sipas statistikës evropiane, në dekadën e fundit numri i automjeteve në 1.000 banorë është rritur për 62 makina, për çka kryesisht kontribut më të madh ka politika e dobësuar doganore dhe standardet e ulëta të mjedisit për importimin e automjeteve të përdorura. Megjithatë, dhe përkundër kësaj ende jemi larg nga mesatarja evropiane prej 491 vetura në 1.000 banorë, kurse nga vendet kandidate më pak automjete nga Maqedonia kanë vetëm Shqipëria dhe Turqia.

Nga shtatë vendet të cilat presin hyrje në BE, shkallë më të lartë të automjeteve ka Mali i Zi me 283 vetura në 1.000 banorë, pastaj renditet Serbia me 258 vetura. Në Bosnjë dhe Hercegovinë ka nga 217 vetura, në Kosovë 193 vetura në 1.000 banorë, kurse në Shqipëri dhe në Turqi kjo përqindje është 140, gjegjësisht 136 automjete në 1.000 banorë. Eurostat thekson se mënyra kryesore e transportit në BE është automjeti, për shkak se siguron fleksibilitet dhe mobilitet për udhëtime personale, shkruan Koha.mk.

“Në periudhë prej 10 vite është vërejtur rritje më e shpejtë e shkallës së motorizmit në të gjitha vendet e zgjerimit se sa në shtetet e BE-së. Edhe pse Shqipëria dhe Turqia kanë shkallë më të ulët të motorizimit në vitin 2015, këto shtete bashkë me Kosovën treguan rritje më të shpejtë në periudhën mes vitit 2005 dhe 2015./Telegrafi/