Edhe pse viteve të fundit në qytetin e Gostivarit janë ndërtuar gati dyzet objekte kolektive banesore, duket që kriza politike e ka bërë të veten dhe në tremujorin e parë të vitit 2017-të, zyrtarisht janë shitur vetëm shtatë banesa në Gostivar, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat jepen nga Agjencia për Kadastër e Republikës së Maqedonisë, nga ku thonë se rënie të madhe të shitjes së banesave në tre muajt e parë të vitit 2017 ka pasur në gjithë qytetet e Maqedoninë dhe se bëhet fjalë për një trend të përgjithshëm.

Nga Sektori për Urbanizëm në Komunën e Gostivarit, ndërkohë pohojnë që brenda tre viteve të kaluara janë ndërtuar rreth dyzet objekte kolektive banesore dhe qendra tregtare. Investitorët në ndërtesa banimi nga Gostivari thonë se banesat shiten lehtë dhe se të dhënat e kadastrës ndoshta janë një trend afatshkurtër, dhe se brenda vitit ky numër pritet të shumëfishohet duke u nisur nga fakti që aktualisht janë në shitje ose në ndërtim e sipër shumë objekte banesore, ndërkohë që pritet të fillojnë të ndërtohen edhe disa objekte të tjera, siç është kompleksi i banesave kolektive afër qendrës tregtare ETC si dhe afër lumit Vardar tek thertorja e qytetit.

“Realisht shitje më të madhe të banesave kemi gjatë muajve të verës, respektivisht në korrik dhe gusht kur në vendlindje qëndrojnë mërgimtarët. Kohëve të fundit, shumicën e banesave i blejnë mërgimtarët. Nëse e marrim para sysh pasqyrën e vitit të kaluar për tremujorin e parë, mund të vërehet një zbehje por kjo nuk do të thotë që ka ndonjë ndikim serioz sepse periudha e parë e vitit edhe ashtu është dobët në këtë drejtim”, thotë njëri nga pronarët e firmave ndërtimore i cili vë në dukje që efektet e krizës politike mund të vërehen deri në fund të vitit në qoftë se situata nuk ka përmirësim apo situata përshkallëzohet.

Por, edhe pse shitësit apo investitorët e banesave kolektive shprehen optimistë, zbehje të veprimtarisë vërehet tek sektori i ndërtimeve në përgjithësi. Në qytetin e Gostivarit, ka ende firma ndërtimore që nuk kanë filluar me punë. Edhe ato pak firma apo grupe të ndërtimeve që kanë nisur me punë, në listë brenda vitit nuk kanë shumë objekte që pritet t’i ndërtojnë.

Ndryshe, sipas Agjencisë për Kadastër, në nivel të shtetit janë shitur rreth njëqind banesa, nga të cilat gjysma janë ndërtime të reja. Në qoftë se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar janë blerë 362 banesa të reja, në janar, shkurt dhe mars kjo shifër ishte vetëm 51 banesa. Për shembull, në Çair dhe në Tetovë nuk është shitur asnjë banesë, në Kërçovë tre, shtatë në Gostivar dhe nëntë në Kumanovë.