Tre nga katër nënkryetarët të BDI-së, janë të mendimit se marrëveshja e majit nuk e përcakton saktë se fituesi duhet të koalicionojë me fituesin. I pari që vendosi të flet publikisht për këtë marrëveshje ishte Nevzat Bejta. Ai në një intervistë për TV21, tha se ky parim nuk është ligj, kurse partitë nuk janë të obliguara ta respektojnë.

“Por nëse duan të bëjnë që në të ardhmen, fituesi me fituesin të bëjnë koalicion ajo le të rregullohet me ligj, (v.j. sepse tani) nuk është e rregulluar me ligj. Çdo gjë që nuk është e rregulluar me ligj, nuk është e obliguar asnjë parti politike, që ta respektoj”, tha Nevzat Bejta, Nënkryetar i BDI-së.

Për këtë çështje u prononcua edhe nënkryetarja Teuta Arifi. Ajo tha se në marrëveshjen e majit nuk është e precizuar se kush me kë duhet të formojë qeverinë. Sipas saj, edhe nëse respektohet ky parim, BDI dhe VMRO DPMNE nuk e kanë ekskluzivitetin absolut për të aplikuar këtë parim.

“Duke u nisur nga fakti që shumicat momentale në këtë drejtim janë deri diku diskutabile, duke u nisur nga fakti se ne nuk kemi legjitimitetin, apo ekskluzivitetin absolut për ta aplikuar këtë parim. Për këtë arsye, parimi i marrëveshjes së majit në këtë moment është vështirë i aplikueshëm”, u shpreh Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së.

Nënkryetari tjetër i kësaj partie, Izet Mexhiti, nuk është prononcuar deri më tani publikisht për këtë çështje, por ka shpërndarë lajmin e koleges, Teuta Arifi në fejsbuk faqen e tij, duke bërë të ditur se pajtohet me qëndrimet e saj. (FOTO – Izet Mexhiti)

Për dallim nga ata, zëdhënësi i BDI-së insiston se parimi “Fituesi me Fituesin” është i rëndësishëm. Ai thotë se ky parim është arsyeja më e fuqishme që BDI ka pranuar që të fillojë bisedimet me VMRO DPMNE-në.

Profesori universitar, Mersel Bilalli, në emisionin e mbrëmshëm të Click Plus, tha se brenda BDI-së ka kundërshtime serioze që mos të shkohet me VMRO DPMNE-në. Sipas tij, edhe nëse vendos Ahmeti që të koalicionojë me Gruevskin, ky format i qeverisë nuk do të votohet nga disa deputet të BDI-së.

“Objektivisht tek ajo strukturë e BDI-së, edhe ai grup që është parlamentar nuk do ta përkrah. Informatat e mia flasin për tre plus një. Tre deputet të cilët nuk do të përkrahin qeverinë, por edhe një i cili ka deklaruar se do të sëmurët atë ditë votohet qeveria”, tha Mersel Bilalli, profesor Universitar.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesori, Mersim Maksuti.

“Po ta analizojmë mirë, mund të themi 90% të anëtarësisë të BDI-së është kundër VMRO DPMNE-së, dhe këtë e ka presionin më të madh BDI-ja, që nuk guxon të bëjë aventura të tjera siç ka bërë deri sot”, tha Mersim Maksuti, profesor universitar.

Ndërsa për analistin, Visar Ademi, opsioni më i mirë për BDI-në është që të qëndroj në opozitë.

“Unë them që BDI mund të shkojë në opozitë vetëm nëse përkrah çdo lloj koalicioni të LSDM-së me partitë shqiptare. Të përkrah atë qeveri, mirëpo mos të merr pjesë në ekzekutiv”, tha Visar Ademi, Analist Politik.

Deri në fund të javës skadon afati për formimin e qeverisë nga mandatari i parë, Nikolla Gruevski, kurse të gjitha sytë janë të drejtuara kah Reçica e Vogël. Edhe pse ka sinjale dhe deklarata të përfaqësuesve të BDI-së, nuk ka asgjë konkrete. Prej atje thonë se të gjitha opsionet janë në lojë.

Përgatiti: Furkan Saliu