“Racionalisti i vërtetë nuk do asnjëherë që t’i mbushë mendjen e të tjerëve, madje ai as nuk do t’i bindë. Ai mbetet përherë i ndërgjegjshëm se mund të gabohet”, ky qëndrim i filozofit Karl R. Popper më kujtohet kur shohë hasmëri në vend të rivalitetit mes politikanëve politik shqiptar.

Politika ka qëllim të mirën e përgjithshme. Caku i politikës ka shumë rrugë. Alternativa të ndryshme na çojnë drejt së mirës. Parimisht, nëse është për të mirën e përgjithshëm çdo rrugë është ideale. Secila rrugë ka “punëtorët” e saj. Punëtorët nuk duhet të hidhërohen me punëtorët e rrugës tjetër që mund të jenë më të zotë, por duhet të përpiqen që të arrijnë te caku duke përforcuar përkushtimin. Ky do të ishte tregues se kanë synim të mirën e përgjithshme.

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Maqedoni sollën rezultate interesante. Të gjitha partitë politike shqiptare gjatë fushatës u zotuan se do të punojnë për të mirën e shqiptarëve. Rezultati final u dha partive politike shqiptare fuqi politike që nuk e kishin gëzuar më parë. Fati i Qeverisë së ardhshme është në duart e shqiptarëve. Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare, tani kanë momentin që t’i japin forcë spektrit politik shqiptar. Që të gjitha dhanë alternativa të ndryshme gjatë fushatës zgjedhore, por në esencë të gjitha i bashkonte ideja, për ngritjen e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Fakti që rrugët për te caku i kanë të ndara nuk do të thotë se duhet tani të mbjellin hasmëri brenda shqiptarëve. Kur jemi te hasmëria, vetëm partia e VMRO-DPMNE-së deri më tash shqiptarët i ka shpallur si të parëndësishëm. Fakt ky, që është njëfarë treguesi se kush është hasmi i shqiptarëve në këtë rast. Prandaj, partitë politike me një “besa besë” do të duhet t’i thënë JO! Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij. Por që e njëjta të ketë jehonë më të madhe duhet të dalë nga një tryezë e përbashkët e protagonistëve politikë shqiptar në Maqedoni. Kujtoj thënien e Agim Ramadanit: “Kur bashkohen pushkët edhe krismën e kanë më të mirë!”

Nëse ulen të gjitha partitë shqiptare në një tryezë nuk do të thotë se do të amnistohen ata që deri dje kanë qeverisur bashkë me VMRO-në, përgjegjësia patjetër që do të vijë. Tani është momenti i së vërtetës dhe ky moment nuk duhet lëshuar. Çdo përçarje brenda shqiptare është në favor të VMRO-DPMNE-së.

Politikanët shqiptarë duhet të ulen në një tryezë edhe për t’u mos u pajtuar, kujto mësimin e Popperit.

Politika është kompromis, konflikt idesh, jo luftë dhe urrejtje vëllazërore. Nëse spikatet kjo e fundit, do të thotë se caku nuk është qëllimmirë.