Përdorimet e qepës në kuzhinë dhe shija e tyre e jashtëzakonshme nuk ka kufij
Qepët janë fantastike në çdo gatim. Ato u shtojnë shije gjellëve të ndryshme, supave e sallatave, aq sa shumë e shumë e receta nuk do kishin kuptim pa qepën si përbërësin e tyre.
Megjithëse mbeten përherë lezeti i shumë recetave të gatimit, ka disa mënyra të tjera fantastike gatimi ku qepët janë protagonistet kryesore.
Receta që sjell është ndër mënyrat më të mira për të kuptuar se përdorimet e qepës në kuzhinë dhe shija e tyre e jashtëzakonshme nuk ka kufij,transmeton AgroWeb.org
Bëhet fjalë për rrathët e qepës, të kombinuara me vezë, miell e thërrime buke, të gatuara me vaj ulliri e të shoqëruara me salcë pikante.
Rrathët e skuqura të qepës janë me të vërtetë shumë të shijshme, pikërisht falë kontrastit mes sipërfaqes krokante dhe brendësisë së butë e të lëngshme.
Sekretet e recetës
Sekreti në gatimin e rrathëve të mirë të qepës qëndron tek thërrimet e bukës, të cilat ndërveprojnë dhe plotësojnë me shije kryeneçësinë e qepës në skuqje.
Thërrimet e bukës janë një element i duhur dhe i pandashëm i treshes tradicionale që përdorim në kuzhinë e që përbëhet edhe nga mielli dhe veza.
Por rrathët e qepës kanë nevojë edhe për një element tjetër që të skuqen mirë.
Ato kanë nevojë për një temperaturë ideale, jo shumë të nxehtë sepse skuqja nuk do të jetë e njëtrajtshme por as pakët sepse në të kundërt rrathët do të qullen dhe zbuten.
Përgatitja e Rrathëve të Qepës
Ju nevojiten
3 Qepë të mëdha
Thikë e mprehtë
3 enë të thella
Miell
2 Vezë
Ujë
Një filxhan i madh çaji me thërrime buke
Tenxhere dhe kullesë ose fritezë
Vaj ulliri
Enë për hedhjen e qepëve
Letra kuzhine
Hapi 1
Qëroni qepët dhe prijini në rrathë të një madhësie prej 6 milimetra deri në 2 centimetra sipas dëshirës.
Hapi 2
Vendosini tre tasat, pjatat apo enët e përzgjedhura në rradhë duke vendosur edhe mënyrën e ngjyrjes së qepëve në produktet e lartpërmendura.
Hapi 3
Në enën e parë hidhni miell të përzier me erëza, kripë dhe piper. Mielli ndihmon që veza të ngjitet më mirë në rrathët e qepës. Në enën e dytë hidhni vezët dhe rrihini me pak ujë. Në enën e tretë hidhni thërrimet e bukës.
Hapi 4
Zhytini rrathët në miell, vezë dhe më pas në enën e thërrimeve deri sa të jenë të veshur plotësisht. Ndiqini këto hapa një e nga një për secilin nga rrathët e qepëve të cilat duhet t’i vendosni në një pjatë.
Hapi 5
Nxeheni vajin në mbi 170 gradë. Temperaturën mund t’a masni me një termometër gatimi ose duke hedhur një nga shtresat krokante e qepës. Nëse nis e skuqet menjëherë dhe merr ngjyrë të artë brenda minutit atëherë temperatura është e duhura.
Hapi 6
Rrathët hidhini në fritezë ose në tenxhere me rradhë. Idealja është të përdorni kullesat që përdoren për skuqje sepse ju ndihmojnë në menaxhimin më të shpejtë të procesit. Mos e tejmbushni tenxheren sepse temperatura e vajit do të ulet dhe qepët do të përthithin më shumë yndyrë.
Hapi 7
Rrathët e skuqur vendosini në pjatat e mbuluara me letër kuzhine që thithin yndyrën dhe servirini menjëherë.