Ka përfunduar pas gati 3 orësh, takimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Siç bëri të ditur Kryeministri, në një dalje për mediat pas këtij takimi, palët nuk kanë arritur të gjejnë konsensusin për miratimin e draftit të Reformës në Drejtësi.

Rama tha se u bënë të gjitha përpjekjet e mundshme për të arritur kompromisin, por sipas tij, PD nuk la justifikim pa nxjerrë për të zvarritur këtë Reformë.

Kryeministri u shpreh se qeveria nuk do ta presë më opozitën dhe pas këtij takimi, Reforma do të shkojë në sallën e parlamentit.

“Më vjen shumë mirë t’iu them sot të gjithë shqiptarëve që i bëmë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’ia dhënë kundërshtarit tonë politik, mundësinë për kompromis. Partia Demokratike e refuzoi këtë ofertë. Unë nuk u habita se nuk futem tek ata që mendojnë se Partia Demokratike e do Reformën në Drejtësi. Kam qenë jashtëzakonisht më i duruar se çdo herë tjetër. Nuk kemi dashur t’i lëmë shteg Partia Demokratike, për asnjë lloji justifikimi. Opozita s’ka lënë gur pa luajtur, marifet pa nxjerrë për ta zvarritur këtë Reformë dhe për të ndryshuar thelbin e saj. Tashmë opozita nuk e justifikon dot mosvotimin. Mendoj se Partia Demokratike nuk e do Reformën në Drejtësi. Ne nuk do ta presim më Partia Demokratike, do të vazhdojmë në rrugën e vetme që kemi. Jemi gati të shfrytëzojmë kohën deri në ditën e votimit. Jemi gati të vijojmë të negociojmë, por jo që të ndryshojmë thelbin. Jemi të hapur deri në sekondën e fundit dhe të dëgjojmë çdo ide që nuk cënon draftin. Pas këtij takimi, Reforma do të niset për në sallën e parlamentit. Kjo reformë i hap dyert Shqipërisë për në BE dhe kërkon mbështjetje nga të gjithë”, deklaroi Kryeministri Rama.

Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij tha se takimi i sotëm ishte një test i vullnetit politik për Reformën në Drejtësi. Ai u shpreh se mazhoranca nuk e do këtë reformë dhe se tregoi mungesë vullneti.

Sipas Bashës, rrugëdalja e kërkuar nga Partia Demokratike është sanksionuar nga Komisioni i Venecias. Për kreun e opozitës, kapja politike e Drejtësisë është pasojë e korrupsionit politik.

Basha tha se pala tjetër erdhi me konkluzione të përgatitura dhe jo për të kërkuar zgjidhje. Ai u shpreh se opozita ka patur vetëm një kusht, moskapjen e drejtësisë.

“Erdha në takim me vullnetin për të kërkuar e ofruar zgjidhje. Sot ishte një test i vullnetit politik për Reformën në Drejtësi. Mazhoranca refuzoi testin sipas Venecias. Drejtësia sot po shantazhohet nga pushteti. Pala tjetër erdhi në këtë tryezë me konkluzione të përgatitura dhe fjalim të përgatitura, jo për të krijuar zgjidhje për Reformën në Drejtësi, por për të krijuar alibi dhe për t’ia hedhur fajin kundërshtarit. Hedhja e fajit është pikënisje e politikave të shtrembra për 25 vjet. Çdo dështim në votim do të thotë shtyerje e Reformës në Drejtësi. Rrugëdalja që kemi kërkuar është sanksionuar nga Komisioni i Venecias. Jam i gatshëm të pranoj dhe të ndaj me qytetarët shqiptarë se ky ka qenë qëllimi. Përballë kishim përfaqësuesit dhe përgjegjësit për Shqipërinë e sotme”, deklaroi Basha.