Deri sa të gjithë vendet fqinje dhe të rajonit janë duke përgatitur masa për ta përballuar krizën ekonomike dhe për ti rikuperuar dëmet të cilat i ka shkaktuar virusi korona, vendi ynë për momentin nuk ka ndonjë strategji. Ndërkohë, qytetarët kanë frikë se agjentët e përmbarimit pas pushimit të gjatë, këtë herë do të jenë më “agresiv”, ndaj ekzekutimit të punës së tyre dhe aspak nuk do të tolerojnë. Sipas të dhënave të Bankës Kombëtare, më shumë se 106.000 llogari u bllokuan deri në muajin mars, nga të cilat 26.000 u përkisnin kompanive dhe 80.000 qytetarëve

Për shkak krizës shëndetësore të krijuar me virusin Korona dhe gjendjes së jashtëzakonshme, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 25 mars, përmes një dekreti me fuqi ligjore e ndaloi veprimtarinë e përmbarueseve. Sipas këtij dekretit, puna e tyre do të duhej të fillonte më 1 korrik, por në dekretin me fuqi ligjore u bë ndërhyrje dhe fillimi i punës për përmbaruesit u vendos që të filloj 30 ditë pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Pas një pushimi afër katër muajsh, ata do të rifillojnë me punë prej ditës së sotme më 24 korrik. Nga sot përmbaruesit do të dërgojnë vendime për mbledhjen e detyruar të borxheve dhe do të fillojnë me bllokimin e llogarive bankare.

PËRMBARUESIT, PA KUFIZIME LIGJORE

Nga Oda e Përmbarueseve të Maqedonisë së Veriut, shpresojnë se nuk do të ketë prapë vazhdim të anulimit të kësteve në banka, për shkak se numri i lëndëve ka rënë për 40 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kjo ka ndodhur për shkak virusit korona, me çka i detyroi autoritetet qeveritare ti anuloj pagesat e kredive nga qytetarët si dhe të hyrat e tyre u kanë rënë dukshëm. Kryetari i Odës së Përmbarueseve, Zoran Dimov, e konfirmoi në media se nga sot përmbaruesit do të fillojnë me punë dhe bëri të ditur se ata janë të gatshëm të fillojnë punën e tyre dhe të dërgojnë vendimet e para të përmbarimit dhe teknikisht tani ata nuk kanë ndalim për punë. “Përmbaruesit kanë punuar edhe gjatë kohës së krizës. Ata nuk janë ndalur së punuari, por morën kërkesë nga Qeveria për ndalimin e ekzekutimit të vendimeve, gjatë gjithë kohës së jashtëzakonshme dhe gjendjes së krizës shëndetësore me virusin korona. Përmbaruesit u lejuan vetëm t’i përgatisin rastet. Tani rastet e mbledhura nga periudha e kaluar do të jenë në gjendje të ekzekutohen nga sot”, u shpreh Dimov.

Ndërkohë nga Qeveria thonë se ligjërisht nuk ekziston asnjë mundësi e një shtyrje tjetër të punës së përmbarueseve, sepse tani vendi ynë nuk është në gjendje të jashtëzakonshme. Ndërkohë, qytetarët kanë frikë se agjentët e përmbarimit pas pushimit të gjatë, këtë herë do të jenë më “agresiv”, ndaj ekzekutimit të punës së tyre dhe aspak nuk do të tolerojnë. Sipas të dhënave të Bankës Kombëtare, më shumë se 106,000 llogari u bllokuan deri në muajin mars, nga të cilat 26,000 u përkisnin kompanive dhe 80,000 qytetarëve.

SLLOVENIA DHE MALI I ZI, SI SHEMBULL

Qeveria e Sllovenisë ka zgjeruar rëndësinë e subvencioneve për paga, dhe rreth 24,000 qytetarë të cilët humbën punën pritet të marrin të ardhura shtesë nga këto subvencione në gusht, ka njoftuar ministri i Punës, Familjes dhe Politikës Sociale, Janez Ziegler. Qeveria sllovene, ka vendosur të zgjasë masën, e cila u prezantua në prill, në mes të një krize të shkaktuar nga pandemia e virusit korona. Qeveria sllovene vlerëson se punëdhënësit ende kanë nevojë për ndihmë shtesë, nga dëmet që i ka shkaktuar virusi korona. Sipas dy ligjeve të para të paketave anti-krizë, më shumë se 275,000 të punësuar ishin në listën e subvencioneve deri në fund të majit dhe sipas të tretit, u përfshinë afro 65,000 punonjës. “Që nga 10 korriku, Shërbimi i Punësimit kishte paguar afro 242 milion euro në kompensim për punëtorët që përkohësisht prisnin punë për shkak të forcës madhore”, lajmëroi Qeveria sllovene.

Ndërkohë qeveria malazeze miratoi një paketë të tretë të masave ekonomike për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë me një shumë prej 1.22 miliardë euro. Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç tha se paketa e krizës do të zbatohet për një periudhë katër vjeçare dhe nuk është një kërcënim për stabilitetin e sistemit financiar të vendit. “Për të zbatuar strategjinë e planifikuar ekonomike, Qeveria ka përgatitur një skicë të plotë të ndërhyrjeve legjislative. Kjo përfshin miratimin e dy ligjeve të reja për inovacionin, stimulimin e zhvillimit dhe ndërhyrjet në ligjin për taksat e vlerës së shtuar dhe energjisë”, tha Markoviç. Sipas tij, qëllimi i masave afatshkurtra është ofrimi i mbështetjes për sektorin e turizmit në vlerë prej 83 milion euro, stimulimet për bujqësi, për investime, përmirësimi i konkurrencës së ekonomisë përmes 17 linjave programore dhe ofrimit të dhjetë milion euro në grante vetëm këtë vit. Në fund për media ai ka thënë se masat përfshijnë mbështetjen e ekonomisë përmes subvencioneve të pagave, duke përfshirë turizmin, në total 16.2 milion euro, si dhe mbështetjen e 1,8 milion më të rrezikuarve.

VENDI YNË PA STRATEGJI

Deri sa të gjithë vendet fqinje dhe të rajonit janë duke përgatitur masa për ta përballuar krizën ekonomike dhe për ti rikuperuar dëmet të cilat i ka shkaktuar virusi korona, vendi ynë për momentin nuk ka ndonjë strategji. Ndryshe, Komisioni Europian përmes një memorandumi që e nënshkroi me Maqedoninë e Veriut, ka miratuar paket me ndihmë prej 80 milion eurove. Siç informoi Komisioni Europian, këto fonde do të jenë në dispozicion në formën e kredive afatgjata me kushte shumë të favorshme. “Fondet do të kontribuojnë në përmirësimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për shpërndarjen e burimeve për t’i zbutur pasojat serioze negative socio-ekonomike të pandemisë së virusit korona”, informon KE.