Përmendorja e juristit që asocon në padrejtësitë e shtetit ndaj qytetarëve

Shumat e mëdha për përmendoret e “Shkupit 2014” kujtojnë problemet e mëdha me të cilat ballafaqohen qytetarët, duke filluar nga elementaret, infrastruktura, ujësjellësi, kanalizimi … e deri te papunësia.

Maqedonia me vendosjen e përmendores së njeriut, i cili i pari ka bërë kodifikimin e së drejtës- Justinijani i Parë nuk e vulosi shtetin e së drejtës në Maqedoni, por hapi edhe një kapitull të ri për padrejtësitë e shtetit ndaj qytetarëve. Projekti “Shkupi 2014” ku shteti derdhi shuma të holla të parave nuk ndikoi në përmirësimin e nevojave lokale të qytetarëve, por shtoi problemet e qytetarëve dhe vështirësoi ballafaqimin e qytetarëve me përditshmërinë.

Shumat e mëdha për përmendoret e “Shkupit 2014” kujtojnë problemet e mëdha me të cilat ballafaqohen qytetarët, duke filluar nga elementaret, infrastruktura, ujësjellësi, kanalizimi … e deri te papunësia.

“Të gjitha komunat kanë nevojë për projekte, jo vetëm ajo e Likovës. Ne kemi thënë edhe ë herët, mjetet që janë harxhuar në përmendore do i kishim harxhuar në ujësellësa por ja që nuk ka ndodhur, kohën prapa nuk mund ta kthejmë. Ato para nuk kanë shkuar në dobi të qytetarëve, ajo është botërisht e ditur. Mendimi im është se mjetet që janë harxhuar për ndërtimin e përmendoreve në kryeqendër janë mjete të pa kuptimta, në moment kur në Maqedoni, në veçanti në komunën e Likovës ka nevojë për shumë gjëra më elementare për popullatën apo qytetarët, si për shembull: Ujësjellës, infrastruktura nëntokësore, infrastruktura rrugore etj”, deklaroi për gazetën Lajm i pari i Komunës së Likovës, Sadullah Duraku, duke potencuar se qeveria ka qenë gjysmë e shurdhër ndaj kërkesave të tyre.

Gazmend Saiti, këshilltar komunal në Likovë, përfaqësues i Rilindjes Demokratike Kombëtare, për Lajm numëron disa nga nevojat që duhet urgjentisht të plotësohen e që janë në interes të përgjithshëm.

“Ujësjellësi zvarritet shumë vite. Është projekt qeveritar që ka ngecë. Filtri kushton afër 1 milion. Infrastruktura, rrugët lokale Ropalcë –Novosellë, rruga Vishticë -Mateç, pastaj rruga Mateç dhe Likovë, ka mbetur rruga lokale Ropalc- Mateç. Miniera e famshme e Llojanit- premtim i parealizuar. Tash s’di, rruga për Bellanoc bisedohet s’ka mjete, është projekt qeverie”, tha Saiti për gazetën Lajm.

Përmes projektit “Shkupi 2014”, konsideron publicisti Iljasa Salihu, mes tjerash kihet për qëllim të tregohet se gjithçka është në rregull në këtë vend dhe në fund si rrjedhojë e kësaj rregullshmërie është hartuar dhe zbatuar projekti në fjalë, pikërisht në kohën kur rajonet shqiptare ende vuajnë për gjërat elementare.

“Konkretisht, rajonit të Likovës i mungon sistemi i ujësjellësit, pastaj mungon kanalizimi në shumë fshatra dhe në shumë pjesë të fshatrave, mungon një park kombëtar, mungojnë terrenet e sportit, rinimi i shkollave bëhen shumë rrallë dhe pjesërisht, asfaltimi i plotë dhe trotuaret mungojnë, mungon ndriçimi i tërësishëm publik e të ngjashme, mungesa këto që po i zmbrapsin investuesit e huaj dhe përgjithësisht po e mynxyrosin klimën ekonomike në këtë rajon. Më tepër se 600 milionë janë harxhuar për projektin “Shkupi 2014”, projekt ky që tërheqë hidhërime të shumta dhe natyrisht shëmton vendin, ndërsa sikur të derdheshin këto para për projekte elementare, sigurisht se gjendja do të ishte më e mirë dhe besimi do të ngjallej ndaj institucioneve shtetërore”, potencoi për “Lajm” Salihu, i cili vjen nga fshati Llojan- Likovë dhe është i njoftuar me problemet e qytetarëve të asaj ane prej së afërmi.

Sipas politikologut Rijad Mamuti, i cili edhe banon në Likovë projekti “Shkupi 2014”, si edhe shumë projekte e qëndrime të ngjashme të garniturave qeveritare të Maqedonisë nga pavarësimi i shtetit dhe deri në ditët e sotme, vinë për shkak të një rivalitetit dhe luftës së bashkësisë etnike maqedonase, e cila garon për ta minimizuar rolin dhe rëndësinë e bashkësisë etnike shqiptare dhe të etnive tjera që jetojnë në këtë vend.

“Tentojnë të minimizojnë karakterin multietnik, multikonfesional e multikulturor të vendit, të përkufizuar me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit. Ata tentojnë përmes projekteve të tilla të arrijnë ta forcojnë shtetësinë, identitetin nacional dhe me të pronësinë e shtetit të Maqedonisë si pronë dhe e drejtë e patjetërsueshme dhe ekskluzive e popullit maqedonas si bashkësi etnike dominuese në Republikën e Maqedonisë. Për këtë, nuk duhet amnistuar subjektet politike shqiptare që ishin pjesë e qeverisë që u përpilua projekti dhe u votua, dhe që njëkohësisht lejuan që me një projekt të tillë sheshin e Shkupit ta shndërrojnë në një “Kopsht zoologjik”, veçon politikologu Mamuti.

Ai pohon se qytetarët e Komunës së Likovës në shekullin 21 po përballen me gjëra elementare si ujë të pijshëm, kanalizim, infrastrukturë, papunësi, … e tjerë.

“Është diçka jashtë normales që sot ne sheshin e qytetit të Shkupit të kemi projekt me një kosto prej rreth 200 milion eurove ndërsa ne vendbanimet shqiptare, konkretisht në Komunë të Likovës qytetarët ballafaqohen me papunësinë dhe ku shumica e qytetarëve migrojnë jashtë vendit si rezultat i faktorit Juridoko-Politiko-Ekonomik dhe ballafaqimit me nevojat elementare. Busti për Justinijanin e Parë 1,3 milion euro – një shumë që do ta stabilizonte papunësinë në Komunën e Likovës, me një investim që në gjuhën popullore përdorej si një “Fabrikë e Turshive”, apo Busti për ASNOM 1,5 milion euro që do tejkalonte problematikat e infrastrukturës, ujit për pije dhe kanalizimit. Unë se kuptoj rolin e përfaqësuesve politikë shqiptar ne Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, e veçanërisht deputetët e kësaj zone që si patën guxim ta ngrenë dorën e ta votojnë një Projekt të këtillë”, theksi Mamuti për gazetën Lajm.

Ndryshe, përmendorja e Justinijanit të Parë është vendosur më 16 qershor të vitit 2011, si pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Skulptura e Perandorit romak është e bërë në mermer të bardhë me lartësi prej 3,5 metrave. Në bazë ka relief të bronztë, që përfshinë 10,5 metra katrot. Autori i veprës është Roza Pavlevska, ndërkaq realizues Galeria e Artit “Pietro Bazanti e Filo” dhe Shkritorja artistike “Ferdinando Marineli” nga Firenca- Itali. Përmendorja gjendet në anën e djathtë të shëtitores së lumit Vardar në afërsi të Urës së Gurit. Përmendorja ka kushtuar 1.336.518 euro, apo 82.195.827 denarë.

Mbetet që qytetarët të kalojnë për afër përmendores së Justinijanit, por në vend që i njëjti të reflektojë drejtësinë për të cilën jetoi dhe veproi, busti i tij në Maqedoni do të mbetet sinonim i asaj se sa e madhe është padrejtësia e shtetit ndaj vet qytetarëve.

 

 

(Ky tekst është në kuadër të projektit “Shkupi në sytë e qytetarëve të vetë të padëgjuar”, financiarisht i përkrahur nga CIVICA MOBILITAS, projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS nga Danimarka dhe MCMS)

111