Ka nisur me tensione protesta e sotme e banorëve të “Astirit” në Tiranë, pas paralajmërimeve se Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të nisë sot aksionin për shembjen e banesave.

Tensionet kanë nisur që prej orës 06:00 të mëngjesit tek sheshi “Shqiponja”, ku ka pasur përplasje mes banorëve dhe forcave të policisë, ku raportohet edhe për persona të lënduar.

Në mbështetje të banorëve kanë shkuar edhe ish-deputetët , Edi Paloka, Klevis Balliu dhe Endrit Braimllari.
Mësohet se banorët e kanë kaluar natën jashtë në mbrojtje të banesave të tyre.

Banorët e Unazës së Re kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë shembjen e banesave të tyre.

Forcat e policisë kanë bllokuar rrugën në të dyja anët e Unazës, ndërsa qytetarët janë të agravuar pasi nuk lejohen të kalojnë rrugën për të shkuar në punë./Ora News/