Ndeshja e të enjtes në San Siro ishte e para e këtij niveli në historinë e klubeve shqiptare.

Shkëndija dhe futbollistët e saj, ishin të parët që patën mundësinë të përballeshin me një ekip të klasit të lartë si Milani. Asnjë ekip shqiptar në parë s’kishte patur një mundësi dhe një shans të këtillë.

Por, në vend të festës për këtë arritje, jo pak veta u fokusuan te humbja e thellë.

Natyrisht, çdokush ka të drejtën e kritikës dhe pesimizmit dhe këtë askush nuk ia mohon askujt por a është kjo e vërteta dhe e drejta!?

Natyrisht që jo. Para së gjithave, ata harrojnë se po flasim për futboll.

Rezultatet e thella në përballjet direkte mes Realit të Madridit dhe Barcelonës në 5-6 vitet e fundit janë argument më i mirë për këtë gjë. Edhe pse janë të një niveli, nuk kanë munguar rezultatet e thella.

Në këto përballje, vetëm në disa vite kemi parë rezultate 5-0, 6-1, 6-2, etj. A është tregues se ekipi që ka humb me këtë rezultat është shumë i dobët dhe nuk vlen? Patjetër që jo, por ky është futbolli. Sot mund të humbësh 6-0 dhe nesër të barazosh ose të fitosh ndaj të njejtin ekip.

Për t’u kthyer në rastin tonë, në përballjen e KF Shkëndija me Milanin, pavarësisht humbjes, ajo ishte një ndeshje që Shkëndija fitoi shumë gjëra. Për t’ua rikujtuar të gjithëve, kjo nuk ishte një ndeshje që Shkëndija shkoi për të fituar, por një ndeshje për të fituar eksperiencë, gjë të cilën çdo klub tjetër shqiptar do ta dëshironte.

Të përballesh me Milanin, një ekip që deri më tani në këtë sezon ka shpenzuar mbi 200 milion euro për transferta, është një nder dhe arritje për një ekip shqiptar.

Në anën tjetër, futbollistët e Shkëndijës përveç zhgënjimit të momentit që është normal, fituan një eksperiencë që jo shumë futbollistë të tjerë shqiptarë e kanë patur mundësinë ta përjetojnë. Ata kaluan sprovën e parë të përballjes me një ekip aq të madh, dhe me siguri në ndeshje të tjera të këtij niveli tashmë edhe psikologjikisht do të jenë më të përgatitur. Kjo gjë peshon më shumë se dhimbja e shkaktuar nga humbja e thellë.

Fjalimi i pronarit të klubit, Lazim Destani, drejtuar futbollistëve menjëherë pas ndeshjes ishte pikërisht në këtë linjë. I vetëdijshëm për Milanin e madh, ai e quajti fitore shorteun Milanin. Ai ka investuar shumë viteve të fundit në këtë klub. Më shumë se çdokujt tjetër, atij duhet t’i dhemb humbja. Por ai ishte i vetëdijshëm se Shkëndija më shumë ka fituar se çka humbur në këtë përballje. Si gjithmonë, të shumtë janë ata që flasin, por të paktë ata që arrijnë ta bëjnë diçka me vlerë.

Dhe tifozeria. Një performancë e shkëlqyer në stadium, një flamur shqiptar gjigand i hapur në shkallët e stadiumit, asnjë incident i shënuar dhe mbështetje e pandërprerë për 90 minuta e skuadrës. Çdo ekip do të kishte zili një tifozeri të tillë që kishin udhëtuar gati 2 ditë me autobusë, kishin dhuruar spektakël para 3-4 orësh në sheshin para katedrales së Milanos dhe më pas dhurojnë spektakël edhe në stadium.

Pas disa ditësh është ndeshja e kthimit. Djemtë e Shkëndijës tani kanë rastin më të mirë për të treguar një lojë të mirë në Shkup, dhe t’ju përgjigjen të gjithëve skeptikëve se edhe nëse nuk fiton, të luash me Milanin është arritje. /albeu.com/