Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i uroi Kosovës përvjetorin e 9 të Pavarësisë, duke nënvizuar se vendi po dëshmon se është një shembull rrezatues i bashkëjetesës harmonike mes komuniteteve të ndryshme.

“Gëzuar të gjithëve ju, e përmes jush të gjithë vëllezërve dhe motrave këtu në Kosovë, e atyre që janë prej Kosovës por banojnë jashtë saj këtë moment shumë të rëndësishëm, këtë ditë që është vigjilja e Pavarësisë dhe një përvjetor i radhës, por si çdo përvjetor, me një peshë ende të jashtëzakonshme, sepse janë të freskëta ditët e vështira të një të kaluare që nuk është e largët”, tha Rama.

Në vazhdën e urimeve, Rama nuk harroi të shprehte dëshirën për kthimin sa më parë në shtëpi të Ramush Haradinajt, pa praninë e të cilit – sipas tij, – kjo ditë ka një mungesë të madhe.

Kryeministri shqiptar tha ndërkohë se, 17 Shkurti duhet të konsiderohet një ditë e bekuar nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Duhet të konsiderohet një ditë e bekuar, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, por edhe për serbët dhe të gjithë të tjerët, pasi dita-ditës Kosova provon se është një shembull rrezatues i bashkëjetesës harmonike mes të ndryshmëve dhe u provon të gjithë të tjerëve se kjo është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe e mundur”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë solemne të zhvilluar në Parlamentin e Kosovës, që ndonëse një ditë më herët, i dedikohej 9-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Isa Mustafa, duke uruar këtë përvjetor, shprehën edhe angazhimin për një Kosovë anëtare të NATO-s dhe BE-së, pa harruar të nderojnë edhe ata që derdhën gjak dhe mund për të arritur te finalja e madhe e 17 Shkurtit 2008.