Autor: Xhelal Neziri

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit, në hapësirën gjuhësore shqiptare sërish hapen debate për tema të njëjta, të cilat nuk çojnë drejt zgjidhjes së çështjeve reale të qytetarit shqiptar. Në të gjitha anketat detektohen probleme konkrete që kërkojnë zgjidhje nga politika – papunësia, mungesa e zhvillimit ekonomik, kualiteti i arsimit – por politika përherë me kokëfortësi insiston në zaptimin e hapësirës publike me kauza abstrakte nëpërmjet të cilave lehtë mund të mjegullohet realiteti.

Historia e funksionimit politik nga fillimi i viteve të 90-ta, pra nga ardhja e demokracisë, nxjerr në sipërfaqe disa defekte serioze të politikës te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilat kërkojnë një qasje serioze për t’i tejkaluar. Kjo nuk duhet të jetë detyrë vetëm e partive politike, por edhe e intelektualëve, shoqërisë civile dhe e të gjithë qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një të ardhme më të ndritur në këtë vend.

Defekti i parë është kuptimi i politikës si rrugë drejt pushtetit për të bërë, kontrolluar apo reketuar biznese, duke mos dhënë asnjë llogari për premtimet e bëra dhe programet dhe platformat partiake.

Defekti i dytë është futja në pushtet si ortak në biznes, e jo si parti që ka pas vetes mijëra vota, një vullnet dhe legjitimitet politik të cilit duhet shërbyer.

Defekti i tretë është manipulimi i opinionit shqiptar në Maqedoninë e Veriut me kauza të mëdha kombëtare, të cilat mbjellin urrejtje dhe mosdurim që më pastaj prodhon destabilizim konstant për interesa të dyshimta.

Defekti i katërt mungesa dhe promovimi i një oferte real-politike për qytetarin shqiptar, ku do të bëhet një lidhje e drejtpërdrejtë midis platformës partiake dhe nevojave reale të shqiptarit si qenie njerëzore, e jo si kolektivitet.

Dhe defekti i pestë është prizmi klientelist i kuptimit të demokracisë nga një pjesë të konsiderueshme të trupit votues shqiptar i cili, njëjtë si politikanët që zgjedh, i sheh zgjedhjet si mundësi përfitimi shumë konkret individual.