Arabia Saudite, Egjipti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe por dhe Jemeni kanë ndërprerë lidhjet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar se po mbështet terrorizmin.
Akuzat e tyre janë të ashpra. Qeveria e Dohas po mbështet grupe të shumta terroriste, përfshirë këtu Vëllazërinë Myslimane. Shtetet, anëtarë të Ligës Arabe, i kanë dhënë kohë trupës diplomatike të Katarit, 48 orë për t’u larguar drejt shtetit të tyre.
Arabia Saudite ka forcuar kontrrollet në kufijtë tokësore dhe detare. Gjithashtu, nga dita e sotme janë ndërprerë të gjitha fluturimet që lidhin vendet në fjalë. Palët mësohet se kanë prishur edhe aleancat ushtarake, por nuk dihet ende nëse po mbahet kontakti minimal për shmangien e përplasjeve.
Kjo lëvizje e paprecendentë është parë si një ndarje serioze mes vendeve të fuqishme të Gjirit Persik, të cilat janë gjitahshtu aleatë të Shteteve të Bashkuara.
Duke parë këtë situatë, i menjëhershëm ka qënë reagimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. Shefi i diplomacisë së ShBA kërkoi që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse thirrja e tij do të merret parasysh nga palët. Ndarja e menjëhershme pritet të shkaktojë një situatë kaotike për vendet në fjalë, në sektorë të ndryshëm përfshirë ekonominë, transportin, etj.