Opinionisti politik Bujar Plloshtani ka deklaruar se qeveria e re reformatore është e nevojshme jo vetëm për qytetarët por edhe për imazhin e vet shtetit.

“Formimi i qeverisë së re reformatore është nevojë e domosdoshme, jo vetëm e qytetarëve, por edhe e vetë imazhit të institucioneve të shtetit, pasi qeveria reformatore duhet të jetë në thelb e interesuar për qeverisjen demokratike, rikthimin e besueshmërisë së pushtetit gjyqësor, sundimin e së drejtës, harmonizimin e politikave me fqinjët dhe integrimin e vendit në Aleancën politike dhe ushtarake NATO dhe Unionin Europian”, shprehet kështu Plloshtani.

Sipas tij, qeveria e re duhej të përkrahej nga gjithë subjektet shqiptare që qëndrueshmëria të jetë më e madhe për proceset politike.

“Qeveria reformatore realisht duhej të përkrahej nga të gjithë subjektet politike shqiptare që të mund të kishte elasticitetin dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për t’i përshpejtuar proceset politike. Rreshtimi i Lëvizjes BESA në opozitë e tendosi sadopak harkun për të pasur një qëndrueshmëri qeveria reformatore, mirëpo, fjalën e fundit e ka Aleanca për Shqiptarët, që të mos e tendosë harkun, por ta mbështesë qeverinë reformuese, e cila me gjasë do të përkrahet nga SHBA dhe Unioni Europian”, thotë kështu Plloshtani.

Plloshtani thotë se beteja e fundit për mosfundosjen e kësaj qeverie reformatore do të varet kryesisht nga Aleanca për shqiptarët.

“Edhe pse opozita konstruktive bazuar në elementet e shtetit demokratik është pjesë e rëndësishme e shtetit së së drejtës, mirëpo në situatë të tillë siç ndodhet vendi, qeveria e re reformatore kishte nevojë të përkrahej edhe nga Lëvizja BESA. Sidoqoftë, tashmë beteja e fundit për të mos e fundosur harkun e kësaj qeverie reformatore do të varet kryesisht nga Aleanca për Shqiptarët. Përkundër gjithçkaje, të paktën për hir të procesit politik që duhet të shkojë përpara Ziadin Sela nuk duhet të ndikohet nga BDI në qeveri, pasi çdo tendosje të harkut edhe nga Aleanca për Shqiptarët, atëherë qeveria reformatore do të përmbysej, e kështu do hapej ndonjë plan jo inteligjent, që sigurisht nuk do të ishte në favor të asnjë komuniteti e aq më pak të faktorit ndërkombëtarë”, thotë opinionisti politik Bujar Plloshtani.