Poetja Lidija Dimkovska është fituese e çmimit të madh “Naim Frashëri”, të Edicionit XXIV të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studjuesi i letërsisë, Prof. dr. Ymer Çiraku (kryetar), dhe poetët e kritikët letrar, Ndue Ukaj dhe Remzi Salihu (anëtarë). Gjithashtu, Drejtoria e Festivalit e ka shpallë Laureatin e sivjetshëm edhe Anëtar Nderi të Festivalit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 15 – 18 tetor 2020, në qytetin e Tetovës.

Kjo u bë e ditur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 18 shtator, në (para) Qendrës së Kulturës në Tetovë, nga drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu dhe anëtari i Jurisë së Festivalit, Remzi Salihu. Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Craig Czury (SHBA), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), Sebastiano Grasso (Itali), George Wallace (SHBA), Fiona Sampson (Angli), etj.
Drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, tha se këtë vit janë ftuar 32 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Kanada, Martinike, Spanjë, Izrael, Danimarkë, Suedi, Holandë, Islandë, Itali, Maroko, Poloni, Greqi, Turqi, Slloveni, Bullgari dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kuadër të tij, do të mbahen disa orë letrare, do te promovohen libra të sh.b.”Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike. Gjithashtu, me rastin e 120 vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar Naim Frashëri” do të mbahet konferenca shkencore me titull “Naim Frashëri dhe atdheu”.
Anëtari i Jurisë së Festivalit, Ymer Çiraku paraqiti arsyetimin e Jurisë për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”.
Lidija Dimkovska përfaqëson një emër të spikatur në letërsinë bashkëkohore në gjuhën maqedone. Ka botuar 6 vëllime me poezi, tre romane dhe një përmbledhje me tregime. Disa nga krijimet e kësaj autoreje, janë përkthyer në gjuhët si: anglisht, polonisht, çekisht, bullgarisht, italisht, hungarisht, sllovakisht etj. Është lauruar me disa çmime letrare, si me ate për vepër poetike debutuese “Studentski zbor”, dy herë ka marrë çmimin për prozë “Stale Popov” të Shoqates së Shkrimtarëve të Maqedonisë, çmimin gjerman të poezisë “Hubert Burda”, dy çmimet rumune “Poesis” dhe “Tudor Argezi”, çmimin evropian të poezisë “Petru Krdu”, çmimin e Bashkimit Evropian për letërsi për romanin “Jeta rezerve”, mirënjohje speciale “Trashëgimia kulturore evropiane” për tregim më të mirë, “Gota e përjetësisë” sllovene për opusin poetik dhjetëvjeçar etj. Librat e saj janë nominuar edhe për çmimet amerikane “Libri më i mirë me përkthim”, si për poezi, ashtu edhe për prozë, për “Urën e Berlinit” gjerman, për “Poetin evropian të lirisë” polake dhe për “Ballkanika” ndërkombëtare.
Lidija Dimkovska ka doktoruar në fushën e letërsisë rumune, duke qënë për një kohë edhe lektore universitare e kësaj letërsie. Ka redaktuar antologjinë e poezisë së rinisë maqedonase, antologjinë e poezisë bashkëkohore sllovene në gjuhën maqedonase, antologjinë bashkëkohore të letërsisë së pakicave dhe emigrantëve në Slloveni etj.
Ka marrë pjesë në takime të shumta ndërkombëtare letrare në Evropë dhe SHBA, si dhe në rezidenca të shkrimtarëve si, ato në Ajova, Berlin, Graz, Krems, Vjenë, Salcburg, Split, Tiranë, Okinava dhe Londër. Ka qenë anëtare e jurisë të çmimit ndërkombëtar “Hubert” në Poloni, si dhe kryetare e jurisë për çmimin “Vilenica” të festivalit ndërkombëtar të letërsisë në Slloveni. Ka përkthyer disa vepra letrare të letërsisë rumune dhe sllovene në gjuhën maqedone.
Profili letrar i kësaj autoreje, është mjaft i pasur, si në krijimtarinë letrare, ashtu edhe në fushë të përkthimit e të promovimit të kësaj krijimtarie – në kultura dhe në gjuhë të ndryshme.
Poezia është një vlerë e spikatur e kësaj autoreje. Me gjuhën eliptike dhe figurative që mbart poezia, këtu përcillen me nivel artistik shqetësimet e kohës së sotme, duke i vështruar ato jo thjesht e vetëm në nivel lokal, por në një rrokje mund të thuhet planetare. Imazhet realiste të fateve njerëzore nëpër luftrat e sotme dhe në kërkim të burimeve deri për jetesë egzistenciale të tyre, këto imazhe krijojnë në vargjet poetike jo vetëm dhimbjen e pikëllimin për këtë gjendje, por përcjellin edhe apelin për t`u ndjerë përgjegjësia dhe për t`i zgjidhur sfidat e njerëzimit, kudo ku ato krijohen. Përgjegjësia dhe fati i pandarë i njerëzve dhe i popujve, zbulohet dhe nënkuptohet qartazi në tekstin poetik të saj. Dimenzioni poetik i Lidijës përfshinë kreativitetin artistik universal, ajo si ndonjë kamerë e fshehur hyn nëpër ndjenjat e njeriut të sotëm, i cili përballet me dinamikën e jetës. Imazhet poetike janë të ngjizura me përditshmërinë dhe traumat e kohës. Në të shumtën e rasteve evokon të kaluarën, me njerëzit dhe farefisin e saj. Gjuha e saj ironike kap segmente poetike moderne që bën poezinë mjaftë të kapshme dhe tërheqëse. Në disa raste për të sublimuar stilin e saj përdor edhe antitezën, për të shpaluar kundërthëniet e jetës. Para perceptimit të saj poetik ndërthuren motive sociale mjaftë të ndjeshme, ku për frymëzim është njeriu pa marrë parasysh ngjyrën popullin apo fenë. Poetja Dimkovska di t’i pikturoj bukur dhe me një ndjeshmëri të lartë këto detaje njerëzore.
Prandaj dhënia e çmimit fitues të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Ditët e Naimit për shkrimtaren Lidija Dimkovska, është një vlerësim për krijimtarinë e pasur të kësaj autoreje, e cila, e shkruan letërsinë e saj në gjuhën e një populli, siç është ai maqedonas, që bashkëndan jetën dhe kulturën e tij – me jetën dhe kulturën e popullit shqiptar.

Tetovë, 18 shtator 2020 D. Hadri