Polici Pero Pecanoski i cili para disa ditësh kërcënoi nëpërmjet rrjeteve sociale kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, sot i ka kërkuar falje. Për të kërkuar falje, Pecanoski ka shkuar deri në kabinetin e kryetarit të Gostivarit. Megjithëse, mohoi se bëhet fajlë për kërcënim, ai pranoi se ka gabuar me komentin e tij “Masakë dhe dajaku”, dhe i kërkoi kryetarit Taravari publikisht falje.

“Unë nuk i ndoza rrjetet sociale, por i ndozën portalet. Do të doja të ndizet situata për diçka që ka bazë për ta ndezur. Ja publikisht kërkoj falje nga kryetari. Konteksti i komentit tim nuk është mbi bazë të statusit të komunës, ose në statusin personal të kryetarit. Komenti im ishte te statusi i Klubit Basketbollistik “Gostivari”. Mendoni se vizita ime sot nuk flet mjaftë – është kultura ime të sillem mirë me çdo individë e sidomos kur bëhet fjalë për kryetarin e Komunës. Prandaj kam ardhur sot këtu të kërkoj falje nga ana e kryetarit. Unë jam keqkuptuar”, deklaroi polici Pero Pecanoski.

Kryetari Taravari nga ana tjetër e ka vlerësuar pozitivisht vizitën e policit Pecanoski dhe kërkim-faljen në mënyrë publike. Shtoi se kërcënimet të ngjashme merr çdo ditë, por se nuk i frikësohet askujt.

“Kështu kërcënime unë marrë përditshmërisht, por gjestin e Peros e vlerësojë shumë. Kur e pranon njeriu gabimin, gjysma e asaj edhe falet. Nga ana ime është i falur. Çdo ditë marrim kërcënime dhe jo vetë nga ana e policëve, por edhe nga aktivistë të partive të ndryshme. Dua t’u përcjellë një porosi atyre që s’kemi frikë, bile dita-ditës jemi më të fuqishëm. Asgjë nuk na ndalë për fitoren e 12 Prillit”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Sipas postimit të Darko Damjanovski, ku polici Pecanoski shkruajti frazën “Maskë dhe dajaku”, Arben Taravari cilësohet si Ballist dhe akuzohet sipas tij për ”zhbërje të shtetit”. Kryetari Taravari tha se është mirë të jeshë nacionalistë.

“Të jeshë nacionalist është punë e mirë, nuk është punë e keqe. Shovenist të jeshë është gjë e keqe. Unë askujt nuk ia mendojë të keqen dhe në këtë 100 për qind jam i sigurtë. Nëse dikush mendon se unë si kryetar komune, ose si institucion i kam bërë keq një turku apo një maqedonasi, lirisht le të më tregon dhe unë do të dilja publikisht të kërkoj falje”, deklaroi më tej kryetari Taravari.

Deri te këto përplasje në rrjetet sociale erdhi pasi Klubi Baketbollistik “Gostivari” doli me kumunikatë për gjoja diskriminim nga ana e Komunës së Gostivarit rreth asaj se si financohen klubet sportive në Gostivar. Kryetari i Komunës së Gostivarit, e hedh poshtë si të pabazë reagimin e Klubit të Basketbollit “Gostivar” kinse synon të ndajë 4 milion denarë për një klub sportiv nga gjithsej 9.2 milion denarë të destinuar për atë qëllim.

“Dua të ndaj një informacion se për klubet sportive Këshilli do të ndanë para. Kemi marrëveshje me klubin e futbollit dhe atë të basketbollit. Janë një shumë parash të parapara në Buxhet, që në mënyrë proporcionale t’u ndajmë para të dy klubeve, pasi mendojmë se të dy klubet janë ambasadorë të qytetit tonë dhe jemi shumë krenarë me këto klube sportive”, sqaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Ndryshe, polici Pecanoski kërcënimin ndaj të parit të Gostivarit e bëri para dy ditësh dhe ndër të tjera sot tha se kur e ka shkruar komentin, nuk ka qenë me uniformë.