Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve që të identifikojë sa më shpejtë vrasësit e Oliver Ivanoviqit.

Ata përmes një njoftimi bëjnë me dije se do e shpërblejnë këdo prej qytetarëve që japin informacione të cilat çojnë në zbardhjen e rastit.

Ky është njoftimi i plotë:

Lidhur me rastin e vrasjes së z.Ivanovic, të ndodhur sot rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante është angazhuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti. Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejt të kryerësve të këtij akti kriminal, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të
rëndësishme për zbardhjen e rastit. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit t’a ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofron një shpërblim prej 10.000 euro (dhjetëmijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacion të cilat shpien në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund ato t’i dërgojnë në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar:

Tel:-080019999 ose
– 192, dhe
e-mail: [email protected]

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët, dhe policia do ta ruaj striktë të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit në këta numra telefoni dhe në këtë e-mail adresë, përveçse nëse personat vetë, vullnetarisht deklarohen ndryshe.