(Vështrim mbi falsifikimin e zgjedhjeve në Maqedoni)

 

Abdulla Mehmeti

 

Sipas sistemit zgjedhor aktual, Maqedonia është e ndarë në 6 njësi zgjedhore. Deputetët shqiptarë i fitojnë mandatet kryesisht në njësitë zgjedhore 1, 2, 5 dhe 6.

Numër më të madh të votuesve shqiptarë ka njësia nr. 6, përkatësisht rajoni i Pollogut, plus Kërçova dhe Dibra. Në këtë njësi, në zgjedhjet e derisotme parlamentare janë zgjedhur zakonisht afër 15 deputetë shqiptarë, ndërsa 5 deputetët tjerë nga kjo njësi u takojnë nacionaliteteve të tjera.

Mashtrimi qëndron në faktin se, njësia nr. 6 përfshin 1/4, ose së paku 25% të popullsisë së përgjithshme në Maqedoni, me mbi 500 mijë banorë, nga afër 2 milionë banorë sa ka gjithsej Maqedonia, sipas të dhënave zyrtare. Atëherë shtrohet pyetja: Pse në këtë njësi zgjedhore zgjidhen vetëm 20, në vend se 30 deputetë, ose 25% e numrit të përgjithshëm të deputetëve, prej 120 sa i ka Parlamenti i Maqedonisë, sipas 25% të numrit të përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni, sa ka njësia zgjedhore numër 6?! Pra, njësia zgjedhore numër 6 përbën 25% të numrit të përgjithshëm të popullsisë, ndërsa përfaqësohet me afër 17 %, ose 8 % më pak! Ky është absurd dhe diskriminim i hapur, apo jo?!

Sipas matematikës së thjeshtë, kjo domethënë se, nga kjo njësi zgjidhen 10 deputetë më pak (afër 8 % e numrit të përgjithshëm prej 120 deputetëve).

Nga kjo njësi zgjedhore, edhe disa deputetë të tjerë shqiptarët i humbin me manipulime të tjera, të përllogaritura mirë nga organet e pushtetit, kuptohet me prapavijë politike. Që domethënë se, vetëm në këtë njësi zgjedhore shqiptarët humbin së paku 10 deputetë.

Edhe nga tri njësitë tjera zgjedhore, 1, 2 dhe 5, ku shqiptarët janë shumicë, ose në numër të konsiderueshëm, si në Shkup, Kumanovë, Strugë etj., shqiptarët humbin së paku edhe 7 deputetë të tjerë.

Realisht, në Parlamentin e Maqedonisë, nëse do të eliminoheshin këto anomali të sistemit zgjedhor, nëse do të plotësoheshin standardet dhe siguroheshin kushte normale për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, shqiptarët do të siguronin së paku 42-45 deputetë, jo 27 deputetë sa i kanë aktualisht në Parlamentin e Maqedonisë.

Sa për ilustrim, nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë, prej afër 2 milionë banorë, del se afër 1 milion e 800 mijë janë votues, ose 90 % e banorëve të vendit! Ndërsa, në njësinë zgjedhore nr. 6, ku shqiptarët janë shumicë, nga 500 mijë banorë, në listën e zgjedhësve janë përfshirë vetëm afër 300 mijë votues, ose 60% e numrit të popullsisë së kësaj njësie. Pse ekzistojnë gjithë këto dallime, nga 90% në 60%, me ndryshim prej 30%, kur duhet të zbatohen të njëjtat ligje dhe të plotësohen të njëjtat standarde?!

Atyre që kjo analizë u duket e pabesueshme dhe joreale, le ta marrin kalkulatorin para vetes dhe le t’i përllogaritin, madje sipas të dhënave zyrtare: Numrin e përgjithshëm të banorëve sipas njësive zgjedhore, numrin e përgjithshëm të votuesve sipas njësive zgjedhore, numrin e votuesve për një deputet sipas njësive zgjedhore dhe përbërjen e popullsisë në këto njësi, që të sjellin përfundimet si më sipër, me kusht që këto llogari të mos i bëjnë anëtarët e Qeverisë, zyrtarët e Entit Shtetëror të Statistikës, anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, drejtuesit e partive politike dhe organet e sigurimit të shtetit, sepse të gjithë këta vërtet kanë probleme me matematikën, politikën dhe demokracinë.