Festivali evropian i këngës ka filluar të zgjojë pluhur gjithandej për edicionin e tij të 62-të, i cili mbahet në datat 9, 11 dhe 13 maj në Kiev të Ukrainës.

 

Thuajse të gjitha shtetet kanë bërë prezantimin e këngëve pjesëmarrëse tyre, teksa shqiptarët do t’i përfaqësojë këngëtarja Lindita Halimi me këngën “Botë”. 

Por, ndikimi më i madh në këtë festival vjen gjithnjë nga shtetet e mëdha. Rusia është një ndër shtetet i cili çdo vit shfaq tendencën për të fituar, duke u munduar që të sjell performanca të veçanta, madje edhe duke ndikuar tek votimi përmes shteteve të vogla që e rrethojnë.

Duke ditur marrëdhëniet e acaruara mes Rusisë dhe Ukrainës, vitin e kaluar para finales producentët rusë u shprehën kështu: “Nëse fiton Ukraina ne nuk marrim pjesë vitin tjetër”.

 

Por këtyre fjalëve mesa duket nuk do t’iu qëndrojnë shumë rusët, të cilët kanë prezantuar projektin e tyre përfaqësues për “Eurovision 2017”, duke konfirmuar kështu edhe pjesëmarrjen e tyre.

Për t’iu shmangur brohoritjeve apo ofendimeve nga ukrainasit, ata zgjodhën një këngëtare me aftësi të kufizuara, pasi që në këtë mënyrë publiku do të tregonte respekt.

“Flame is Burning” titullohet kënga që prezanton sivjet Rusinë në festivalin evropian, të cilën e interpreton këngëtarja Julia Samoylova, përcjell Telegrafi.

Kjo zgjedhje mesa duket ka qenë ‘politika’ e radhës e përdorur nga shteti rus, për të shuar mos respektin dhe pse jo për t’u ranguar sa më lart në klasifikim.

 

Ndërkohë ka disa vite rresht që Rusia gjendet në top pesëshen e këngëve më të mira në finale, të cilat përkundër prezantimit të mirë, disa prej tyre janë cilësuar si të dobëta dhe as që duhet të ishin në finale.

Mirëpo politika e përdorur në bashkëpunim me shtetet sllave ka bërë që Rusia të gëzojë vit për vit këtë sukses, duke iu afruar shumë fitores, të cilën mesa duket do ta kenë të vështirë ta arrijnë ndonjëherë, përderisa ‘rrezikohet’ fuqishëm nga shtetet skandinave dhe ato të perëndimit.

Në gjithë historinë e “Eurovisionit”, Rusia ka arritur të fitojë vetëm njëherë këtë festival në vitin 2008, me këngën “Believe” të kënduar nga artisti Dima Bilan. /Telegrafi/