POLITIKA SHKURTPAMËSE PRODHON MJEGULL, NUK SJELL LIRI

Abdulla Mehmeti

Disa mediume, politikanë, studiues, analistë dhe gazetarë shqiptarë jashtë Maqedonisë, është mirë që brengosen për ne vëllezërit e tyre të këtushëm, të cilëve na kanë detyruar rrethanat historike të jetojmë jashtë kufive administrativë të shteteve amë. Është e natyrshme që ata të kujdesen për fatin tonë, të japin ide dhe sugjerime, të shfaqin mendime për daljen nga kriza politike dhe institucionale që e ka përfshirë Maqedoninë gjatë dy viteve të fundit, sidomos pas ngjarjeve të fundit tragjike në Parlament dhe jashtë tij, si dhe para vështirësive për krijimin e qeverisë së re, të proklamuar si reformuese.

Këto ide, analiza, mendime dhe sugjerime janë qëllimmira dhe synojnë përmirësimin e situatës së këtushme kaotike, po jo përherë janë të dobishme, racionale dhe frytdhënëse, sepse nuk përfaqësojnë një unitet të ideve, të analizuara dhe studiuara mirë, se cila do të ishte rruga më e mirë për daljen nga kjo krizë, por edhe në interes të çështjes së pazgjidhur shqiptare në Maqedoni, në kontekst të çështjes shqiptare në përgjithësi, rreth së cilës gjithashtu debatet vazhdojnë edhe në ditët e sotme, nga individë, institucione, subjekte politike dhe forume të tjera, si në nivel lokal edhe në nivel kombëtar.

Përkrah kësaj ndihme vëllazërore, nuk duhet të harrojmë se edhe ne shqiptarët vendës nuk jemi më pak patriotë dhe të ditur seç mendojnë disa vëllezër tanë andej kufirit dhe në diasporë. Askush nuk mund ta njeh më mirë se ne situatën e këtushme, jo vetëm në saje të kujtesës historike, dijes së fituar historike dhe politike, por edhe nga vetë plagët në trupin tonë, të cilat kullojnë gjak ndër breza.

Nëse vëllezërit tanë duan të na ndihmojnë, për çka fare nuk mund të dyshojmë, në radhë të parë duhet të bëjnë thirrje për unifikimin e mendimeve, qëllimeve dhe programit që na bashkon të gjithëve, më pastaj të sugjerojnë zgjidhje politike për shqiptarët në Maqedoni. Përveç kësaj, shërbimin më të mirë do të na e bënin nëse ushtrojnë trusni në qarqet politike në Tiranë dhe Prishtinë, për:

1. Ndalimin e përkrahjes dhe bashkëpunimit të politikanëve shqiptarë dhe klaneve të bizneseve, nga Tirana, Prishtina dhe më gjerë, me politikanët e këtushëm joshqiptarë, të dëshmuar për antishqiptarizëm dhe krime ndaj shqiptarëve në Maqedoni, si dhe

2. Të mos përkrahin symbyllur, për interesa të politikës ditore, politikanë shqiptarë të këtushëm, të cilët janë dëshmuar si pjesë e krimit të organizuar, të pangopshëm për pushtet, jo edhe për të drejtat dhe liritë, barazinë e plotë të shqiptarëve në Maqdoni, i cili lufton me dekada për heqjen e statusit poshtërues të pakicës kombëtare dhe fitimin e statusit të popullit shtetformues në Maqedoni, jo përmes premtimeve dhe deklaratave, por përmes ndryshimeve të domosdoshme kushtetuese. Më pastaj, përmes integrimeve euroatlantike do të krijohen kushte dhe mundësi të tjera, për të cilat shumica e analistëve, mediumeve dhe gazetarëve brenda dhe jashtë Maqedonisë bëjnë hop para se ta kenë kaluar lumin, të turbulluar me dekada nga armiqtë shekullorë të shqiptarëve dhe nga disa shqiptarë servilë e kolaboracionistë, të cilët për t’u dukur lisi i tyre i lavdisë personale nuk e shohin një mal të tërë që digjet prapa hijes së tyre mashtruese.

(4 maj 2017)

SHPËRNDAJE