Përkrahja e LSDM-së për BDI-në dëshmon se LSDM nuk dallon aspak nga VMRO DPMNE për sa i përket raportit me shqiptarët. Kështu thotë kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik Shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani, i cili zëvendësimin e LSDM-së me VMRO-në por jo edhe politikës së tyre ndaj shqiptarëve e përshkruan me shprehjen “iku Lara, erdhi Baloja”. Ai fton shqiptarët që të votojnë partitë shqiptare, pasi sipas tij, vetëm shqiptarët kanë projekte për të mirën e tyre.

SHPËTIM POLLOZHANI, KRYETAR I SHOQATËS SË TË BURGOSURVE POLITIK SHQIPTARË NË MAQEDONI

“Kjo me të vërtetë, dua të besoj që është një trend i momentit dhe një dukuri që nuk do të përsëritet dhe mjerë ai funskionar ose ai politikan që merr një post me ndihmën e LSDM-së, e cila sipas meje nuk dallon aspak nga VMRO-ja, me një fjalë ne u gëzuam që iku Lara, por erdhi Baloja. Si do që të jetë shqiptarët duhet t’i thirrin mendjes dhe të bashkohen rreth koalicionit Aleanca me BESË, se vetëm shqiptarët kanë projekte për të mirën e shqiptarëve”
Nga ana tjetër, politologu Xhenis Sulimani vlerëson se dëmi më i madh i shqiptarëve deri më tash ka qenë BDI dhe çdo bashkëqeverisje me to është një disfatë e madhe për Zoran Zaevin. Ai tha se për këtë arsye nuk është e rastësishme revolta e theksuar e elektoratit shqiptar ndaj veprimeve të fundit të LSDM-së. Sulimani kujtoi se një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë e kanë përqafuar idenë e Zaevit para zgjedhjeve parlamantarëe me të vetmin qëllim që ta rrëzojnë regjimin që ka kultivuar kulturë famkeqe politike dei në atë kohë, ndërkaq i rikujtoi këtij të fundit se një besëlidhje shqiptare, ashtu siç e ka pozicionuar si kryeministër mund ta pozicionojë në rangje më të ulëta.

XHENIS SULIMANI, POLITOLOG

“Zoran Zaevin e solli në pozitë një aleancë shqiptare dhe ai duhet ta ketë parasysh se një lidhje apo një besëlidhje shqiptare, të njejtin edhe mund ta largojnë nga Qeveria. Nëse ky i fundit bën pazare politike në dëm të shqiptarëve. Dëmi më i madh i shqiptarëve deri më tash ka qenë BDI dhe çdo bashkëqeverisje me to është një disfatë e madhe për zotëri Zaev. Andaj edhe nuk janë të rastësishme edhe reagimet dhe kjo revoltë tepër e theksuar e elektoratit shqiptarë në Republikën e Maqedonisë”
Reagimet e elektoratit shqiptar vijnë pas mbështetjes së LSDM-së ndaj BDI-së në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, në komunat ku BDI shkon në balotazh me koalicionin Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët.